E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rizgjidhet Devaja

Ashtu siç është pritur, Mexhit Devaja është rizgjedhur kryetar i Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) edhe për një mandat tjetër katërvjeçar.

Devaja ishte kandidati i vetëm për kryetar në Kuvendin Zgjedhor të FHK-së, që është mbajtur të shtunën në Prishtinë, ku të drejtë vote kishin 31 delegatë të këtij kuvendi. Këtë post Devajës ia besuan 28 delegatë, të cilët votuan për të.

“Ju falënderoj për besimin që ma dhatë, në mënyrë që unë edhe më tej ta udhëheq FHK-në. Gjatë këtij mandati unë do ta jap maksimumin tim që FHK-ja të pranohet me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF) dhe në Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF)”, tha Devaja para delegatëve, pasi u rizgjodh kryetar i FHK-së.

Ndërkohë, Kuvendi ka rizgjedhur nënkryetar të FHK-së Eugen Saraqinin dhe katër anëtarët e rinj të Bordit të FHK-së. Anëtarë të bordit u zgjodhën: Nehbi Zariqi, Faruk Mujka, Muhamet Alaj dhe Mirjana Cvetkoviç.

Zhurma në Kuvend

Gjatë mbajtjes së këtij Kuvendi Zgjedhor të FHK-së nuk munguan as tensionet, të cilat u ngritën te disa delegatë, e veçmas te përfaqësuesi i Kastriotit, Lulëzim Abazi dhe tek ai i Trepçës, Arif Prekazi. Të dy këta shprehën pakënaqësinë e tyre me zhvillimet në Kuvend, veçmas me faktin se Mexhit Devaja nuk kishte kundër-kandidat për kryetar.

Në fakt, Agron Kryeziu synonte të kandidohej për kryetar, por atij nuk iu lejua të hyjë as në mbledhjen e Kuvendit me arsyetimin se Kryeziu nuk ka bazë deleguese (10 nënshkrime të delegatëve) për t’u kandiduar.

“Vetë mënyra e zhvillimit të këtyre zgjedhjeve tregon se këtu nuk pati demokraci. Askund në botë nuk ka zgjedhje të tilla dhe pa kundër-kandidat. Unë kam mbledhur të gjitha nënshkrimet, por nuk më është lejuar hyrja. Me disa ekipe tjera, së bashku do të vendosim për hapat e tjerë”, deklaroi Kryeziu.

Me këtë rast, më së shumti zhurmë bënë Lulëzim Abazi dhe Arif Prekazi. Madje ky i fundit u ngrit në këmbë dhe plasoi një seri kritikash në drejtim të Mexhit Devajës.

“Rreth 80 për qind të njerëzve në FHK janë njerëz që nuk i përkasin komunitetit sportiv. Ti e ke shkatërruar hendbollin kosovar dhe ti je fajtori kryesor për shuarjen e shumë klubeve”, i tha Mexhit Devajës Arif Prekazi, i cili më pas e braktisi këtë kuvend.

Kurse për Lulëzim Abazin, zgjedhjet në këtë Kuvend ishin jo legjitime. Madje ai vuri në dyshim pjesëmarrjen e Kastriotit në garat e organizuara nga FHK-ja.

“Këto zgjedhje nuk janë legjitime, pasi ka pasur manipulime dhe ndërrime të delegatëve në momentet e fundit. Nëse vazhdohet kështu, mundësia është shumë e madhe që Kastrioti të tërhiqet nga garat e FHK-së”, tha Abazi. Në shenjë pakënaqësie me zhvillimet në këtë kuvend, Abazi ka tërhequr edhe kandidaturën e tij për nënkryetar të FHK-së, duke thënë se nuk dëshiron të bëhet pjesë e kësaj federate.

Sido që të jetë, zyrtarët e FHK-së mbajtjen e kuvendit e vlerësuan si të rregullt. Kurse ky është mandati i tretë i Mexhit Devajës si kryetar i FHK-së. Ai i prin këtij asociacioni nga viti 1996, kur e pati zëvendësuar të ndjerin Ahmed Hoda. Nën udhëheqjen e Devajës, hendbolli kosovar ia doli të ndërkombëtarizohet. Që nga viti 2005, FHK-ja është anëtare e EHF-së me të drejta të kufizuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›