E Shtunë, 31 Tetor 2026

Wenger kishte futbollistë të “blerë”

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka theksuar se gjatë karrierës së tij ka pasur futbollistë të cilët ishin “blerë” nga kundërshtarët.

Wenger ka kritikuar gjyqtarin Martin Hansson për ndarjen e drejtësisë në humbjen e Topxhinjëve nga Porto në ndeshjen e parë të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve të mërkurën.

Francezi e quajti Hanssonin “jokompetent” para se të tregonte se ai kishte pasur futbollistë, të cilët kishin marrë ryshfet për të kurdisur ndeshje.

“Në jetën time kam parë shumë më keq se Hansson. Futbollistët e mi janë blerë nga kundërshtarët. Dhe nuk jam bërë paranojak”, tha Wenger për mediet angleze të shtunën.

Megjithatë, ish trajneri i Nancy, i Monacos dhe i Nagoya Grampus Eight nuk ka dhënë detaje rreth klubeve apo futbollistëve për të cilët bëhej fjalë.

“Nuk dua të tregoj për atë çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Në detyrën time, ju gjithmonë keni arsye për t’u bërë paranojak, andaj nuk dua të mendoj se njerëzit nuk janë të sinqertë”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›