E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiperia duhet te beje kujdes me trajnerin e kombetares Josip Kuzhe

Shqipëria duhet të bëjë kujdes me trajnerin e kombëtares, Josip Kuzhe, i cili ka ndërmend të vendosë në qershor nëse do të vazhdojë të qëndrojë ose jo.

Ofertat nuk mungojnë, por në Federatën Shqiptare të Futbollit ndihen optimistë.

Në qershor do të ndajë mendjen se çfarë do të bëjë, ndërsa ekziston rreziku që rritja e aksioneve të tij bë bursë të rrisë barrën financiare për ta mbajtur.

Ky është Josip Kuzhe, trajneri i Shqipërisë, i cili ka ndarë mendjen për të paracaktuar të ardhmen e tij, gjë që ia ka besuar fillimisht mediave kroate.

“Në qershor do të vendos nëse do të qëndroj në Shqipëri edhe më tej apo jo, - shprehet Kuzhe, - cituar nga gazeta “Veçernji List”, e cila nga ana e saj, i është referuar revistës “Maks”, - unë dua të punoj atje ku mund ta paguajnë sa më mirë punën time”.

Kroati ka arritur rezultate të mira në krye të kombëtares shqiptare, me 7 fitore dhe 4 humbje, por ajo që vlen më shumë është pozicioni në grupin eliminator të “Euro 2012” ku Shqipëria ka shanse reale që të shkojë në finalet e mëdha që do të zhvillohen në Ukrainë e Poloni.
Fitorja 1-0 ndaj Bjellorusisë në Tiranë më 26 mars rriti mundësitë dhe moralin e kuqezinjve.

Një rrezik i madh për Shqipërinë vjen edhe nga Dinamo e Zagrebit e cila paska qenë vazhdimisht në kontakt me Kuzhen.

Është vetë trajneri që pohon se në 18 muajt e fundit, kohë në të cilën ai ka qenë dhe mbetet drejtues i përfaqësueses sonë, presidenti i Dinamos, Zdravko Mamiç, e ka telefonuar 2-3 herë dhe i ka kërkuar që të kthehet si trajner në klubin me më shumë trofe në Kroaci.

“Zdravko më ka telefonuar 2-3 herë në 1 vit e gjysmë, ndërsa atij nuk do t’ia harroj ndihmën që më ka dhënë në momentet më të vështira, - shprehet ai, - natyrisht, ana sportive është diçka tjetër, ndonëse Dinamo mbetet gjithnjë një temë për mua dhe vazhdimisht mendoj që të kthehem atje”.

Pra, rreziku duket qartë, ndonëse në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) ndihen të qetë.

Shefi i zyrës së shtypit, Zalla, u shpreh në linjë telefonike se në horizont nuk duken bisedime për kontratën e re, gjë që do të realizohet me pëlqimin e të dyja palëve, por atmosfera është pozitive dhe mendimi që mbizotëron është që trajneri të vazhdojë në detyrë edhe më tej.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›