E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roben pritet të mungojë në sfidën me Danimarkën

Holanda

Arjen Roben mund të mungojë në ndeshjen ku Holanda do të debutojë në Botërorin 2010 kundër Danimarkës. Ylli i “tulipanëve” ka përfunduar terapitë në Holandë dhe gjatë ditës së sotme do të udhëtojë drejt Afrikës së Jugut, për t’iu bashkuar pjesës tjetër të skuadrës në Johanesburg. Gjithsesi, aktivizimi i tij për sfidën e së hënës duket mjaft i vështirë. “Nuk e shohim prej një jave dhe më parë duhet të verifikojmë se si po ecën rehabilitimi i tij”, deklaroi trajneri Bert Van Marvijk. Mesfushori me tipare sulmuese i Bajernit të Mynihut u dëmtua të shtunën e kaluar në Amsterdam, në miqësoren e fundit që Holanda zhvilloi përpara se të nisej drejt tokës afrikane. Ndeshja u fitua nga vendasit me rezultatin 6-1. Roben u aktivizua në pjesën e dytë, por ai u largua nga fusha në të 85-n, pasi pësoi një dëmtim muskulor në kofshën e majtë (më parë kishte realizuar dy gola). “Këto ditë mes terapive kanë qenë mjaft të gjata. Megjithatë, tashmë gjithçka po ecën mirë”, deklaroi 26-vjeçari për të përditshmen holandeze, “De Telegraaf”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›