E Diel, 1 Nëntor 2026

Robert Bosh: “Vendimtar roli i Policisë në zgjedhjet e 28 Qershorit”

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Bosh- Prençi

Trajnohen 5 mijë efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët do të shërbejnë në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Procesi i trajnimit, ku janë përfshirë të gjithë efektivat që do të angazhohen në zgjedhjet e 28 Qershorit, po zhvillohet nën vëzhgimin e misioneve ndërkombëtare “PAMECA”, “ICITAP”, ODHIR, OSBE, si dhe të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me OSBE, kemi përgatitur një libër xhepi për të gjithë punonjësit e policisë, libër i cili përcakton qartë detyrat tona.
Takimi
Në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë u zhvillua dje një takim ndërmjet drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, ambasadorit të OSBE në Tiranë, Robert Bosh, me efektivat e policisë së Qarkut Tiranë, që do të marrin pjesë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pohoi se prej disa kohësh ka nisur trajnimi i 5000 efektivave të policisë në të gjithë vendin, të cilët kanë një rol të caktuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Ambasadori Robert Bosch e cilësoi të rëndësishëm dhe tejet vendimtar, rolin e Policisë në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Duke e vlerësuar të suksesshëm rolin e policisë në zgjedhjet vendore 2007, ambasadori Bosch theksoi se "sipas raportit përfundimtar të OSBE-ODHIR, roli i Policisë në këto zgjedhje ishte profesional gjatë gjithë procesit zgjedhor”.
Bosh
Në fjalën e tij përfaqësuesi ndërkombëtar, Robert Bosh, theksoi se në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës Policia e Shtetit, në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, nuk ndërhyri gjatë procesit zgjedhor. “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të jenë sërish të rëndësishme për procesin në tërësi, për ambiciet e integrimit të vendit në strukturat euroatlantike, si dhe për ambiciet e vetë popullit shqiptar”, - u shpreh ambasadori Bosch.
“Në pajtim me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, unë shpresoj shumë dhe pres që klasa politike, dhe ata që do të ndihmojnë në administrimin e zgjedhjeve, si dhe të gjithë ju, përfshirë edhe mediat, do të sigurojnë që këto zgjedhjet të jenë më të mirat nga ato të zhvilluara në vend, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara”, - tha më tej Bosch. Ky i fundit vlerësoi rolin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në mbarëvajtjen e procesit të trajnimit të efektivave të policisë që do të angazhohen në këto zgjedhje, dhe theksoi se “roli i përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare, ishte vetëm ai i këshilltarit në leksionet e trajnimit. Jam i bindur se trajnimi kaskad që do të merrni sot, do t ju bëjë shumë shpejt atyre për të njohur me detyrat e Kodit Zgjedhor, në mënyrë që të njëjtat standarde të larta të zbatohen në mbarë vendin”. Ambasadori Bosch i cilësoi zgjedhjet e 28 Qershorit si një provë të rëndësishme për Shqipërinë dhe theksoi se “puna e Policisë, është vlerësuar maksimalisht nga ndërkombëtarët dhe nuk duhet për asnjë çast të ndërpritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, luftë e cila duhet të vazhdojë edhe më tej”.
Ky lajm është publikuar: 23/05/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›