Robert Kuper, nuk komenton vizitën në Prishtinë

Përfaqësuesi i baroneshës Kethrin Eshton në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Kuper, ka qëndruar sot në Prishtinë. Ai është takuar me kryeministrin Hashim Thaçin dhe zv/kryeministren Edita Tahiri. Kuper, pas takimit, është larguar pa dhënë ndonjë deklaratë.
Një ditë më herët, ndërmjetësuesi evropian qëndroi në Beograd, ku ka diskutuar për temat e radhës që do të bisedohen në dialogun Kosovë-Serbi. Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se krerët e Qeverisë së Kosovës zhvilluan një takim konsultativ me Robert Kuperin, para vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, në fillim të shtatorit.
“Është një takim konsultativ që sot ka zhvilluar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Është një takim parapërgatitor do të thosha, për dialogun që do të zhvillohet më 2 shtator. Natyrisht që aty do të shprehen qëndrimet e Kosovës dhe me siguri që do të ketë harmonizim të qëndrimeve edhe me përfaqësuesin e BE-së”, deklaroi Kuçi.