Jeremiç: Nuk mbështesim pavarësinë e njëanshme

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç gjatë fjalës së tij në KS, të OKB-së, ku po diskutohet për raportin e Ban Ki Moon për situatë në Veri, ka përsëritur qëndrimin e Serbisë për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës.
“Ritheksoj pozicionin tonë të Serbisë, karshi shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Ne nuk e mbështesim. Shumica e shteteve të OKB-së, e respektojnë integritetin dhe sovranitetin e Serbisë në përputhje të konventës ndërkombëtare. Dhe ne shprehim mirënjohjet tona më të thella dhe inkurajojmë që ato pozicione ato t`i ruajnë dhe të mos mbështesin shpalljet e njënshme dhe të mos i legjitimojnë ato”, u shpreh Jeremiç.
Po ashtu ai është ndalur edhe në situatën e Veriut të Kosovës, duke theksuar se muaji i kaluar ka bërë që rajoni të jetë i pasigurt për shkak të vendimarrjes së kryministrit të Kosovës për këtë zonë. Sipas ministrit serb, ky vendim është pjesë e planit për instalimin e një regjimi në atë pjesë të krahinës.
“Në 25 korrik ishin disa dhjetëra persona të armatosur rëndë që kaluan lumin Ibër duke shkelur marrëveshjen EULEX-Prishtinë. Qeveria jonë ka dërguar një delegacion për uljen e tensioneve dhe kemi mbështetur punën e KFOR për rikthimin e qetësisë. Kemi takuar Byhler, por pas një tërheqje disa nga ushtarakët janë rikthyer, kjo ka çuar në fatalitet dhe në reagimin e dhunshëm të pjesëtarëve të komunitetit serb aty”, vijoi Jeremiç.
Ai theksoi se zëri i Serbisë nuk është dëgjuar, dhe shtoi se demokracia në këtë zonë nuk po vendoset.