E Diel, 1 Nëntor 2026

Roberto Olla: Eurimage, një dritare për kinematografinë shqiptare

Sekretari i Përgjithshëm i Fondit të Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane, takim me kineastët shqiptarë

Eurimage, një dritare më shumë për kinematografinë shqiptare, kështu u shpreh Roberto Olla, sekretar i përgjithshëm i saj. I pranishëm në Tiranë me ftesë të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, për të drejtuar një seminar informues për kineastët shqiptarë dhe më gjerë, dje gjatë këtij takimi u sqaruan strukturat e Eurimage dhe mënyrat e aplikimit

për financim projektesh. Ishte një takim shumë i rëndësishëm. Eurimage është si një dritare e hapur për kineastët shqiptarë. Në këtë fondacion janë 34 vende anëtare. Në vit ne kemi një fond prej 22 milion eurosh për të gjitha këto vende që do të ndahet sipas projekteve kinematografike. Filmat që prodhohen 100 përqind në vend nuk financohen nga Eurimage, i cili është një mundësi e mirë për kineastët shqiptarë, por dhe për filmin, pasi i jep mundësi që të shkojnë dhe në vende të tjera kultura të ndryshme, pohoi z.Olla. Një kriter tjetër i përcaktuar nga Eurimage(Fondi i Këshillit të Evropës për Kinematografinë Evropiane), për financime është dhe ai i cilësisë. Jo të gjitha projektet mund të financohen, pasi kjo varet dhe nga cilësia e tyre, por dhe nga mesazhi që ata përcjellin Jo çdo projekt financohet nga ne, pasi kjo varet nga cilësia dhe nga skenari. Projekti mbi të gjitha duhet të ketë një mesazh universal. Deri tani nuk kemi asnjë projekt, por unë sot pata takime me shumë kineastë shqiptarë dhe besoj se më vonë do të kemi projekte cilësore, theksoi më tej në fjalën e tij z.Olla. Ndërkohë që ai foli pak  për një projekt kinematogarfik, i cili po diskutohet për financime në Eurimage, por detaje më shumë rreth tij do të jepen në mes të këtij muaji. Për Tan Minarollin, kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, vizita e sekretarit të përgjithshëm të Eurimage është shumë e rëndësishme për kinemanë shqiptarë. Takimi me të gjithë kineastët ishte interesant. Pati shumë interes dhe pati dhe diskutime, të cilat kishin në qendër prodhimet kinematografike. Në pjesën e parë u prezantua struktura e Eurimage dhe në pjesën e dytë ishte me pyetje dhe përgjigje, pohoi Tan Minarolli. Ndërkohë që disa kohë më parë ish drejtori i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë Xhevdet Ferri, kishte kohë që kishte theksuar se hyrja e Shqipërisë në Eurimage ishte shumë e rëndësishme, por sipas tij kanë qenë një sërë faktorësh që e vononin këtë gjë, ndërkohë që ai pohonte se do të ishte dhe një mundësi më shumë për producentët e kinemasë. Për vendin tonë, sipas tij hyrja në këtë fondacion do të jetë një mundësi e madhe për të gjithë producentët e kinemasë, gjithashtu janë dhe programe të ndryshme për ndërtimin e kinemave, financime për të sjellë filmin evropian në Shqipëri, apo e anasjella. Tashmë bashkëprodhimet kinematografike jo vetëm që janë të rëndësishme për kinematografinë shqiptare, por dhe nëse kineastët shqiptarë duan të përfitojnë nga Eurimage, ata në bashkëpunimin me një palë tjetër të huaj e kanë detyrim. Kështu bashkëprodhimet ndërkombëtare bëjnë të mundur për të përcjellë kulturën në hapësira të ndryshme, por dhe promovuar kinematografinë shqiptare në tregun kinematografik, si dhe duke çelur dhe më shumë shtigje për kineastët shqiptarë.

Shqipëria, si pjesë e Eurimage
Në një njoftim nga Qendra Kombëtare Kinematografike bëhet e ditur për mediat se pas proçedurave 18 mujore, delegacioni shqiptar ka marrë miratimin për anëtarësim nga asambleja e përgjithshme e Eurimage. Ka qenë pikërisht data 2 qershor e viti të kaluar në Vilnus të Lituanisë, ku përfaqësuesit e Shqipërisë z.Ferit Hoxha, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe z.Roland Sejko, ekspert ndërkombëtar i fushës, kanë prezantuar zhvillimet dhe angazhimet e kinematografisë shqiptare për t`u bërë pjesë e kësaj njësie. Përmbyllja e akteve formale për këtë anëtarësim u bë brenda muajit qershor 2009. Detyrimi financiar që do të ketë Shqipëria kundrejt Eurimage do të jetë vetëm 50 mijë euro, ndërkohë që përfitimi për një projekt nga ky fond është deri në 700 mijë euro. Eurimage është fondi i krijuar dhe atashuar pranë Këshillit të Europës për zhvillimin dhe mbështetjen politike e financiare të prodhimit dhe shpërndarjes së kooproduksionit kinematografik europian. Në të marrin pjesë 34 vende anëtare të Këshillit të Europës.

Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›