E Diel, 1 Nëntor 2026

Roberto Saviano: Koha që Shqipëria të nisë ndryshimin që do e sjellë në Europë

ITALI- Shkrimtari i njohur italian Roberto Saviano i njohur botërisht për shkrimet e tij kundër mafias në Itali, nëpërmjet një shënim të botuar në profilin e tij ‘Facebook’ ka përshëndetur rezultatin zgjedhor në Shqipëri.

Saviano teksa nuk lë pa përmendur vrasjen e ndodhur në Laç, vlerëson se ‘rezultati i këtyre zgjedhjeve dhe ndryshimi që shpresojmë se do të sjellin, janë jetike për të frenuar korrupsionin e Berishës dhe për të nisur luftën e vërtetë ndaj bandave mafioze shqiptare’.

POSTIMI I PLOTË:
Shqipëria është një vend kaq pranë, fatet e të cilit janë të gërshetuara me Italinë.

Për Shqipërinë nuk mund të thuhet kurrë se “le të flasim më mirë për çka ndodh në Itali’, sepse Shqipëria është një vend i lidhur në kulturë, histori dhe gjeografi me Italinë.

Të dielën, më 23 qershor, u mbajtën zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, që është demokraci e re dhe në rrezik.

Ndërsa akoma votohej, pati të shtëna në Laç dhe u vra një eksponent i qendrës së majtë.

Edi Rama, socialist dhe lider i koalicionit të qendrës së majtë, në fund të votimit deklaroi se koalicioni i tij është në rrugën e duhur për të marrë ato vende në parlament që kishte parashikuar. Por më pas, kryeministri Sali Berisha në largim, nisi të pretendojë fitoren, duke mos njohur humbjen.

Rezultatet zyrtare i japin 57,7% koalicionit të Edi Ramës dhe 39,4% atij të udhëhequr nga Sali Berisha.

Shqipëria, që në këto dekada ka ditur të transformohet, duke dalë nga një diktaturë e tmerrshme komuniste e Enver Hoxhës, është një vend i mbushur me talente dhe mundësi.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve dhe ndryshimi që shpresojmë se do të sjellin, janë jetike për të frenuar korrupsionin e Berishës dhe për të nisur luftën e vërtetë ndaj bandave mafioze shqiptare.

Është koha t’i lejohet Shqipërisë të nisë ndryshimin që do e sjellë në Europë.

Simpatia ime shkon për të gjithë lexuesit shqiptarë, që më ndjekin, dhe që e di që në këto kohë janë të angazhuar në respektimin e demokracisë.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›