E Shtunë, 31 Tetor 2026

Robinjo: Jam pjesë e akordit për K. Ronaldon

Sulmuesi brazilian i Realit të Madridit, Robinjo, ka zbuluar se ai është pjesë e marrëveshjes për të transferuar Kristiano Ronaldon nga Mançester Junajtid tek ekipi madrilen. Futbollisti ka bërë një deklaratë që pritet të hapë më shumë polemika gjatë ditëve në vazhdim, por që ka konfirmuar për herë të parë se Mançesteri po mendon seriozisht shitjen e mesfushorit portugez. Robinjo deklaroi për "A‘Bola" se ai nuk do ta kishte problem të transferohej në Angli, ndërsa deklaratat e tij nuk u komentuan as nga ekipi anglez, e as nga përfaqësuesit e madrilenëve. "Është e vërtetë që kam disa oferta. Njëra është nga Mançester Junajtid, si pjesë e shkëmbimit me Kristiano Ronaldon. Ndërsa oferta tjetër është bërë nga Çelsi. Unë nuk e kam fshehur asnjëherë dëshirën time për të qëndruar te Reali i Madridit. Por, nëse bisedimet materializohen në një përfundim të rëndësishëm, unë nuk e kam problem të largohem", deklaroi braziliani. Në këtë mënyrë, situata rreth Kristiano Ronaldos bëhet edhe më enigmatike, pasi duket se Mançester Junajtid ka filluar të mësohet me idenë e largimit të tij. Si rrjedhojë, Ferguson po përpiqet të marrë maksimumin nga transferimi i lojtarit të preferuar, duke kërkuar, përveç një shume të konsiderueshme parash, edhe shërbimet e Robinjos. Vetë Kristiano Ronaldo, nga ana e tij, nuk ka përgënjeshtruar asgjë, duke deklaruar thjesht se do të jepte një konferencë për shtyp gjatë 2-3 ditëve të ardhme, ku do të përcaktonte hapin e radhës për karrierën e tij. Megjithatë, kjo konferencë e shumëpritur mund të shtyhet për disa ditë, pasi futbollisti është dëmtuar në stërvitje me Portugalinë. Ai është larguar nga stërvitja me kaviljen e djathtë të fashuar dhe mendohet se mund të rrezikojë pjesëmarrjen në ndeshjen e parë të kombëtares së tij në EURO 2008 përballë Turqisë. Duket se pas këtij dëmtimi ai do të preferojë të qëndrojë sa më i qetë dhe larg mediave, në mënyrë që të përqendrohet te riaftësimi i plotë para turneut ndërkombëtar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›