E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët, Berisha pranon varfërinë ekstreme

Kryeministri Sali Berisha kërkon që "të zhduken" fëmijët nga rruga. Edhe pse gjendja ekonomike është alarmante dhe kjo është arsyeja kryesore e "zgjatjes së dorës", kreu i ekzekutivit thotë se janë të gjitha kushtet për ta shmangur atë. Ai i ka kërkuar ministrit të Punës, Kosta Barka, dje në konferencën për fëmijët, që të marrë masa për largimin e të miturve nga rruga. "Zoti Barka, të mos ketë asnjë fëmijë lypës në rrugët e vendit tonë. Ky vend i ka të gjitha burimet financiare, njerëzore, logjistike dhe ka çdo gjë tjetër për të mos pasur në rrugët e tij as edhe një fëmijë që zgjat dorën". Kështu iu drejtua Kryeministri, ministrit të Punës. Ndërkohë kritika të ashpra ka marrë edhe ministri tjetër i kabinetit, Genc Pollo. "Zoti ministër i Arsimit, lufta kundër analfabetizmit duhet të jetë objektivi i parë dhe më i rëndësishëm i ministrisë suaj. Të vendosim çdo fond, të marrim çdo vendim dhe të kalojmë çdo ligj për të adoptuar tolerancën zero në analfabetizmin ndaj fëmijëve", vijoi Kryeministri. Përtej demagogjive të podiumeve është realiteti, i cili vjen i shprehur në shifra nga raportet e përgatitura nga organizatat e huaja, si UNICEF-i, "Save dhe Children" dhe "Ëorld Vizion Albania". Sipas të dhënave më të fundit, 59% e fëmijëve që jetojnë në familjet më të varfra, kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës psikologjike dhe fizike në familje. Për sa i përket varfërisë, studimet tregojnë se "në Shqipëri 6.6% e fëmijëve të moshës 5- vjeçare janë nën peshë, krahasuar me 6% në Maqedoni dhe 4% në Bosnje dhe Hercegovinë. Siç shihet, varfëria te ne është më e theksuar se në vendet fqinje. Jo vetëm të zhveshur përballë krizës ekonomike, por edhe të pambrojtur ligjërisht. Kështu paraqiten fëmijët shqiptarë nëpër raportet ndërkombëtare. "Legjislacioni i cili mbron të drejtat e fëmijëve është i copëzuar. Ai është ndërtuar mbi politikat sektoriale, si politika arsimore, shëndetësore, e mbrojtjes sociale dhe jo mbi të drejtat për arsimin, për kujdesin shëndetësor, për mbrojtje shoqërore etj.", thuhet në studimin e UNICEF-it. Si i tillë, legjislacioni ekzistues nuk ndikon mbi uljen e përjashtimit, por parashikon përfitimin e shërbimeve vetëm mbi ata që janë të përfshirë. Më tej raporti vijon: "Theksojmë se rregullimet ligjore dhe nënligjore të deritanishme nuk janë të mjaftueshme, pasi fëmijët nën 14 vjeç nuk kanë të drejtë ligjore për të vepruar dhe për t‘u mbrojtur nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi". Ndër rekomandimet që jepen për qeverinë shqiptare veçojmë se "duhet të ketë një ligj integral, antidiskriminues për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve". Ndërkohë, Ministria e Punës, e cila ishte organizatore e konferencës vjetore për strategjinë e fëmijëve 2002-2010, pranoi se hartimi i një legjislacioni bashkëkohor dhe që ofron mbrojtjen më të mirë për fëmijët është një nga angazhimet më të fundit të këtij dikasteri. "Edhe pse legjislacioni në fushën e mbrojtjes së fëmijëve është i mirë, vlerësojmë se ka ardhur koha për hartimin e një ligji integral që jo vetëm do të garantojë të drejtat e ligjshme të fëmijëve, por do të përcaktojë saktë edhe institucionet përgjegjëse që ngarkohen t‘i garantojnë këto të drejta". Kështu u shpreh ministri i Punës, Kosta Barka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›