Familjarët e viktimave, protesta kundër policisë
Kërkojnë kapjen e autorit brenda 24 orëve
Familjarët e tri viktimave të masakruar në fshatin Vidohovë kanë dalë në protesta kundër policisë. Menjëherë pas ceremonisë mortore të më të voglit të vëllezërve Mulliri, Edlevanit, të afërm dhe bashkëfshatarë të viktimave kanë bllokuar rrugën nacionale Korçë-Kapshticë në shenjë proteste. Për më shumë se një orë ata kanë mbajtur të bllokuar rrugën në hyrje të Bilishtit, duke mos lejuar kalimin e mjeteve, ndërsa policia është përpjekur të hyjë në negociata me ta. Protestuesit thonë se do të bllokojnë rrugën deri në kapjen e autorit, ndërsa kanë akuzuar policinë se nuk ka marrë masa për të parandaluar krimin. “Po nuk u kap vrasësi do detyrohemi të nxjerrim arkivolet nga varret dhe do t’i vendosim në rrugë, derisa policia të arrestojë vrasësin. Ai duhet të kapet dhe të varet këtu në mes të qytetit për krimin që ka bërë. Ne do të bllokojmë rrugën dhe nuk do të lejojmë që policia ta keqpërdorë në këtë mënyrë. Policia nuk mori masa në kohën e duhur dhe për këtë ne sot protestojmë. Janë tallur me ne tërë kohën dhe nuk na kanë trajtuar siç duhet”, thotë babai, Xhevahir Mulliri. Pas negociatave me policinë, familjarët e tre djemve të vrarë kanë liruar rrugën, me kushtin se në rast se autori nuk kapet për 24 orë do të vijojnë protestat.
#