E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rock in Tirana”

Për të dytin vit radhazi, do të organizohet në Tiranë festivali “Rock in Tirana”. Në dy net, në datën 5 dhe 8 qershor, admiruesit e kësaj muzike do të kenë mundësi të ndjekin nga afër personalitete të kësaj rryme. I ndarë në grupmosha, nata e parë i takon atyre që janë mes moshës 30-50 vjeç, të cilët do të kenë mundësi të ndjekin Uli Jon Roth band, kitaristin legjendar të grupit “Scorpions” dhe “Rainbow”, të cilët vijnë me këngëtarin Joe Lynn Turner. Turner do të performojë të gjitha hitet e “Rainbow”, pra edhe nga epoka e Ronnie James Dio, edhe nga Graham Bonett, si dhe nga albumi i fundit me Doggie White. Ndërkaq dita e dytë e festivalit i kushtohet tërësisht të rinjve. Do të vijnë për herë të parë në Tiranë dy nga grupet më të dashura nga të rinjtë “Planet funk” dhe “One Republic”. Bandat e njohura të rokut do të interpretojnë drejtpërsëdrejti në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.

Grupi “Rainbow”

Ata janë një prej grupeve më të famshme të rokut klasik dhe do të jenë në Tiranë për të reformuar “live”. Historia e tyre nisi në vitin 1974, kur Ritchie Blackmore i zemëruar me elementët e rinj të futur në ritmet e “Deep Purple” nga David Coverdale, refuzoi të bashkëpunonte me ta, duke njoftuar largimin nga ky grup. Blackmore nisi të shkruante muzikë, për të shprehur idetë e tij që ishin shtypur tek “Deep Purple”. Pas disa realizimeve solo Blackmore krijoi një bandë të re, të quajtur "Rainbow". Muzika e tyre ishte shumë e ndryshme nga ajo e Deep Purple. Ishte më e drejtpërdrejtë dhe e frymëzuar nga muzika klasike. Në historinë e këtij grupi kanë lënë shenjën e tyre shumë emra të mëdhenj të kulturës rok si: Ronnie James Dio, Graham Bonnet, Joe Lynn Turner etj. Ky i fundit, i konsideruar nga kritika si një nga zërat më fuqishëm dhe më të bukur të kësaj muzike. Në vitin 2009, Joe Lynn Turner, Bobi Rondinelli, Greg Smith dhe Tony Carey kanë krijuar “Over the Rainbow” me Jürgen Blackmore (djali Ritchie-t), si kitarist. Ata kanë nisur turne në mbarë botën, duke kënduar këngë që kanë bërë historinë e këtij grupi.

Uli Jon Roth, kitaristi i “Scorpions”

Uli Jon Roth është një nga kompozitorët më të suksesshëm gjermanë. Arriti kulmin me “Scorpions” (1973-1978), ku realizoi pesë albume, ndërsa janë të shumta performancet e tij në të gjithë botën. Ai është një multi instrumentalit, ndërsa suksesi i tij muzikor ka vazhduar dhe do të mbërrijë në një perfromancë “live” edhe në Tiranë.

“Planet Funk”

“Ne jetojmë në kohën e ndryshimeve, reflektimeve, transformimeve” është ky slogani i “Planet Funk” që do të vijë përmes muzikës së tyre në Tiranë, më 8 qershor. Në 7 vjet karrierë muzikore ata kanë arritur të kenë tre rekorde të ndryshme. “Non Zero

Sumness”, “The Illogical Consequence” dhe “Static” çeli një erë të re në muzikën italiane. Muzikë e miksuar në rok, pop, elektronike dhe dance me një stil thellësisht europian, që nuk u fokusua në atë që ishte popullore tashmë në Europë. Kjo ishte edhe pika kyçe e suksesit të grupit që do të vijë në Tiranë përmes hiteve si “Chase the Sun”, “Inside all the people”, “Who Said”, “The Switch” etj.

“One Republic”

Këngët e tyre janë hite, mjaft të përmenden dy nga më të suksesshmet “Apologize” apo “All the right moves” dhe menjëherë reagimet nuk vonojnë prej publikut. “One Republic” do të jetë edhe qershia mbi tortë që do të mbyllë festivalin “Rock in Tirana”. Suksesi i tyre u rrit ndjeshëm falë bashkëpunimit me Timbaland, i cili theu çdo rekord që vetë grupi kishte parashikuar. “One Republic” është një bandë roku, që me frymën që u ka dhënë Timbaland, producentin më të njohur të hip-hop, do të sjellë në Tiranë ritëm, muzikë dhe atmosferë deri në orët e mesnatës së datës 8 qershor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›