E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Deklarata e Pavarësisë nuk bie ndesh me 1244

PRISHTINE – “Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Rezolutën 1244 dhe në njëfarë mënyre është vazhdimësi e kësaj rezolute.”- ka deklaruar zëvendës kryengociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan.
I pyetur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë nëse Deklarata e Pavarësisë bie ndesh me Rezolutën 1244, e cila parashihet të shkruhet në fusnotën përfaqësuese të Kosovës, Rohan është përgjigjur: “Aspak, sepse Rezoluta 1244 është ajo që është zbatuar së fundmi dhe sipas pikëpamjes sime është dokument historik. Ajo parasheh dialog politik për çështjen e statusit, ndërsa ky dialog është zhvilluar dhe ka rezultuar me deklaratën e pavarësisë. Prandaj, deklarata e pavarësisë në njëfarë mënyre është konsekuencë e kësaj rezolute. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj insistimin e Serbisë që ta përmend këtë rezolutë, e cila i takon së kaluarës”.

Sipas tij, kryesore është që Kosova të marrë pjesë në bashkëpunimin rajonal. “Fusnota nuk mbetet veçse një fusnotë. Mënyra më e lehtë sipas mendimit tim, do të ishte që ta shohim Kosovën si pjesëmarrëse, ndërsa sa për fusnotën, të shkruhej ‘Nuk njihet nga Serbia’. Diçka e tillë do të ishte rrugëdalja më e lehtë. E tërë kjo është ekzagjeruar”, - ka thënë Rohan, duke shtuar se fusnota nuk do të sjellë kurrfarë pasoje.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›