E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian

Për nder të Ambasadorit Rohan  u mblodh edhe Kuvendi i Kosovës, deputetëve të të cilit iu drejtua me fjalë falënderuese dhe këshilla prej mikut.

Rohan gjatë ditës do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Ndërkohë, pasdite Rohan do të nderohet me titullin "Doctor Honoris Causa" nga Universiteti i Prishtinës.

Pas marrjes së dekoratës, nga presidenti Sejdiu, diplomati austriak tha: “E ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe ajo do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, por njëkohësisht do t’i nevojitet ujdia e Serbisë që të anëtarësohet në OKB”, ka deklaruar ish-zëvendës kryenegociatori për statusin e Kosovës, ambasadori Albert Rohan. Ai ka theksuar se Kosova është vend i suksesit, përkundër problemeve dhe sfidave më të cilat ballafaqohet, për të cilën gjë ka apeluar për unitet brenda faktorit politik vendor.

“Por e ardhmja e Kosovës është e ndritshme dhe e ardhmja e Kosovës sipas pikëpamjes sime është brenda BE-së dhe herët apo vonë do ta shohim si pjesë të familjes evropiane. Dëshira ime është që kjo të ndodhë më herët”, ka thënë ambasadori Rohan, pas takimit me presidentin Sejdiu, ku është dekoruar me “Medaljen e Artë të Pavarësisë”.

Pavarësisht kësaj ai ka pranuar se njohja e realitetit nga Serbia mund t’ia hap rrugën Kosovës në inkuadrimin në familjen e kombeve botërore. “Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së kur Serbia është e gatshme që të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe në këtë mënyrë të heq dorë nga rezistenca për anëtarësimin e saj në OKB. Kjo është kaq e thjeshtë”, ka deklaruar Rohan.

Duke folur për njohjet ai ka pranuar se procesi në GJND ka ndikuar në këtë drejtim, dhe ka hezituar që të parashikoj nëse fundi i tij do të mund të sjell dinamikë të re.

“Problemi për periudhën pas këtij procesi do të jetë se vendimi i GJND-së nuk do të jetë shumë i qartë, as për, as kundër. Presidenti i gjykatës tashmë e ka thënë këtë gjë. Prandaj sigurisht se vendimi do të përmend parimet e ligjit ndërkombëtar, në anën tjetër do të flasë për realitetet politike dhe në fund të dyja palët mund të thonë se argumentet tona janë reflektuar në këtë vendim”, është shprehur Rohan.

Ish-zëvendës kryenegociatori për statusin e Kosovës, Albert Rohan, të martën i ka siguruar ligjvënësit e Kosovës, se pavarësia e vendit të tyre, e cila është shpallur me 17 shkurt të vitit 2008 është një fakt i pakthyeshëm, që herët a vonë do të pranohet edhe nga Serbia dhe nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian.

Krahu i djathtë i presidentit Martti Ahtisaari, gjatë një fjalimi që ka mbajtur në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se Beogradi duhet t’i japë mbështetje Kosovës e jo t’i vërë pengesa gjatë procesit të zhvillimit të saj. Të njëjtën gjë, sipas Rohanit, do të duhej ta bëjnë edhe pesë shtetet e BE-së, që deri tani nuk e kanë njohur realitetin e krijuar në Kosovë, pasi sipas tij, qëndrimi i përbashkët i shteteve anëtare të BE-së është hapja e derës për të gjitha shtetet që synojnë të hyjnë në familjen e madhe evropiane.

Rohan i ka këshilluar miqtë e tij në Kosovë, se shpallja e pavarësisë paraqet vetëm njërin prej kritereve që është dashur ta përmbushin bashkë me faktorin ndërkombëtar. Pas këtij akti, ai ka thënë se për Kosovën është i rëndësishëm procesi i shtetndërtimit. Diplomati austriak ka vlerësuar se në Kosovë tashmë janë shënuar hapa pozitivë në procesin e implementimit të Pakos së Ahtisaarit, porse ende ka edhe shumë punë për t’u bërë. Në krye të listës së obligimeve që institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin, ai ka vënë përmirësimin e kushteve të jetës për pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

Pas pjesëmarrjes në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, diplomati austriak do të takohet me kryeministrin Hashim Thaçi dhe ministrin e Jashtëm Skender Hyseni, ndërkohë që nga UP-ja do të dekorohet me titullin “Honoris Causa”. Albert Rohan ishte zëvendës i kryenegociatorit të OKB së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari, dhe njëri nga autorët e propozimit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›