E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rohan: Plani i Ban Ki-moon, sfidë për pavarësinë e Kosovës

Ish-ndërmjetësi i OKB-së për statusin e Kosovës, Albert Rohan, e ka cilësuar paanshmërinë e EULEX-it ndaj statusit, të përmendur në raportin e sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Mun, si një sfidë për deklaratën e pavarësisë së Kosovës dhe sovranitetin e saj. Në një intervistë për BBC-në, Rohan tha se ka bazë për skepticizëm, në marrëveshjen gjashtëpikëshe të OKB-së me Serbinë, posaçërisht në fushën e policisë, të kufijve dhe doganave. Ai është shprehur se ka shumë gjasa që plani gjashtëpikësh të çojë drejt ndarjeve në fushën administrative dhe strukturore të policisë, doganave dhe të drejtësisë, që do të jenë në kundërshtim me qëllimet e autoriteteve të Kosovës dhe planit Ahtisaari. Albert Rohan theksoi se vendosja e EULEX-it, jashtë planit Ahtisaari, është një nonsens, sepse misioni europian është një element i paketës. Ai tha se nuk është me rëndësi mbi çfarë baze do të shtrihet EULEX-i, por shtrirja e tij në gjithë territorin e Kosovës. Ish-ndërmjetësi i OKB-së përjashtoi çdo mundësi të rihapjes së negociatave të reja për statusin e Kosovës por nënvizoi faktin se Prishtina dhe Beogradi zyrtar duhet të përfshihen në bisedime për çështjet praktike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›