E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roja bregdetare shpëton Tritan Shehun

Rrezikon të mbytet në detin Jon deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Një stuhi e papritur që ka përfshirë pasditen e djeshme brigjet e Vlorës, e ka gjetur deputetin e selisë blu në mes të detit, duke shëtitur me jahtin "Xhenesis", pronësia e të cilit ende nuk është bërë e ditur. Ndryshimi i menjëhershëm i kushteve atmosferike i ka gjetur të papërgatitur Shehun dhe tre shoqëruesit e tij, të cilët kishin vendosur të vozisnin në det për disa orë. Ndryshimi i kohës, era e fortë dhe deti i trazuar kanë rrezikuar seriozisht përmbysjen e mjetit lundrues, i cili i gjetur në vështirësi ka lëshuar sinjalin SOS. Mësohet se ka qenë ora 17:45 e ditës së diel, kur nga jahti "Xhenesis" një femër ka kërkuar ndihmë në Distriktin Detar të Vlorës. Në jaht ndodheshin katër persona, mes tyre femra që ka kërkuar ndihmë, e cila mendohet të jetë dhe drejtuesja e mjetit lundrues. Ndërkohë nuk bëhet i ditur identiteti i tre shoqëruesve të deputetit demokrat. Sapo ka mbërritur sinjali i alarmit dhe është mësuar se një nga personat e rrezikuar ishte Tritan Shehu, deputet dhe ish-kryetar i Partisë Demokratike, menjëherë në drejtim të mjetit lundrues janë nisur mjete të policisë kufitare, të Distriktit Detar të Vlorës, Guardia di Financa, si dhe një skuadër e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Pas disa minutash kërkimi në detin e trazuar, jahti është gjetur në gjirin e Shën Janit, pranë kepit të Gjuhëzës në Gadishullin Karaburun. Fatmirësisht të katër personat që ndodheshin në jaht kanë qenë në gjendje të mirë shëndetësore, por ishin tepër të trembur, pasi stuhia e papritur i kishte izoluar në gjirin e vogël. Më pas mjeti lundrues është rimorkiuar nga një anije e Guardia di Financa, deri në portin e jahteve në Orikum, ku ndodhej në gatishmëri edhe një staf mjekësor, që nuk është dashur të ndërhyjë. Sapo është hedhur spiranca e "Xhenesis", zona është mbyllur për kureshtarët dhe nuk është lejuar asnjë gazetar që të kontaktojë me deputetin Shehu apo tre të rrezikuarit e tjerë. Ndërkohë që informacioni për ngjarjen e ndodhur ka qenë tejet i rezervuar dhe nuk është bërë publike asnjë e dhënë rreth pronësisë së jahtit apo identitetit të personave që ishin me deputetin Tritan Shehu në momentin që kanë rrezikuar mbytjen.

Tritan Shehu prej disa ditësh kishte udhëtuar drejt Vlorës, për të kaluar ditët e fundit të pushimeve, përpara nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Stuhia që ka përfshirë papritur gjirin e Vlorës, ka zgjatur për gati dy orë. Era e fortë dhe deti i trazuar kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në zonën e Rradhimës dhe sidomos atë të Orikumit. Në vijën bregdetare të këtyre zonave janë dëmtuar plazhet private, janë prishur dhe thyer çadrat, ndërkohë që mësohet se në Orikum stuhia ka dëmtuar plotësisht një disko verore, e cila ndodhej pranë bregut të detit.

Kush është Tritan Shehu

Datëlindja: 24.04.1949

Vendlindja: Tiranë

Edukimi: Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë; specializuar Anestezi-Reanimacion; Menaxhim Shëndetësor

Veprimtaria profesionale:

1975: mjek në QSUT

1979-2005: pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, shef i Shërbimit të Anestezi-Reanimacionit

1987 e vazhdim: kryetar i Shoqatës së Anestezi-Reanimacionit

Veprimtaria politike:

Deputet në Legj. XII-XVII

1992-1994: Ministër i Shëndetësisë

1996-1997: Ministër i Jashtëm e Zv/kryeministër

1994-1996: Sekretar i Përgjithshëm i PD-së

1996-1997: Kryetar i PD-së



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›