E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia: Shpërthimi në ish-Metalurgjik, gabim njerëzor

Dy prej katër metalurgëve, të plagosur mbrëmjen e së shtunës në ambientet e njërës nga ish-uzinat e Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit, janë në gjendje të rëndë për jetën. Mësohet se Luan Muhametaj, 52 vjeç, banues në lagjen "Partizani" dhe shtetasi turk, Murat Silis, 30-vjeç, lindur në Stamboll, pasi morën mjekimin e parë nga bluzat e bardha të qytetit, janë dërguar me urgjencë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim më të specializuar. Dy të aksidentuarit shfaqin djegie të shkallës së lartë dhe gjendja e tyre vazhdon të jetë e rëndë. Ndërsa dy metalurgët e tjerë që mbetën të plagosur, Hysen Cungu 52 vjeç, banor i lagjes "Luigj Gurakuqi" Elbasan dhe Arben Muhametaj, 38 vjeç, banues i fshatit Papër, pasi morën mjekim në spitalin kirurgjikal Elbasan, janë larguar mëngjesin e djeshëm për në banesat e tyre. Gjendja shëndetësore e tyre është normalizuar dhe mjekët kanë vendosur që ata të largohen nga spitali. Ndërkohë policia e ka konsideruar ngjarjen e mbrëmjes së të shtunës si aksidentale. Nga hetimet e grupit të ekspertëve është arritur në përfundimin se shpërthimi ka ndodhur nga gabime njerëzore dhe jo nga mungesa e kushteve teknike. Metalurgët kanë qenë duke punuar në segmentin e impiantit të dhomës së pluhur heqjes, e cila ndodhet poshtë furrës së shkrirjes së çelikut. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:15 të së shtunës, teksa metalurgët kanë hapur derën e dhomës për të pastruar pluhurin, i cili me sa duket ka qenë shumë i nxehtë, për shkak të ciklit shkrirës që nga turni i parë. Kanë qenë rreth 30 punëtorë të turnit të dytë në këtë uzinë kur ka ndodhur shpërthimi i fuqishëm, i cili tronditi gjithë repartin. Policia ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe një autoambulancë e spitalit të Elbasanit, e cila ka transportuar katër të plagosurit në repartin kirurgjikal. Sipas specialistëve dhe hetimeve paraprake, rezultoi se ngjarja është aksidentale dhe është shkaktuar si pasojë e gabimeve njerëzore. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme dhe mësohet se hetimet do të përqendrohen në veprën penale "Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë".

Ky nuk është rasti i parë që metalurgët vihen në rrezik për jetën. Afro një vit më parë, një shpërthim i tillë do të ndodhte mes hekurishteve që silleshin për shkrirje, i paraprirë ky nga një tjetër aksident më parë gjatë derdhjes së metalit të shkrirë nga lingotat gjigande. Aksidenti i mbrëmjes të së shtunës është i gjashti që ndodh në zonën industriale në këto dy vitet e fundit, ku tre prej tyre vetëm në firmën turke "Kurum".

Statistikat

Aksidentet gjatë dy viteve të fundit

-Më 14 janar të vitit 2008, 7 të plagosur dhe dy të vdekur

-Më 23 maj të vitit 2008, plagosen tre metalurgë

-Më datën 15 qershor të vitit 2008, dy të plagosur

-Tre ditë më vonë, më 18 qershor të vitit 2008, plagoset një metalurg

-Më datë 6 gusht të vitit 2008, 3 të plagosur

-Tre ditë më vonë, në datë 9 gusht të vitit 2008, plagoset një metalurg

-Më datë 28 maj të vitit 2009, një i plagosur

-Më datë 29 gusht të vitit 2009 plagosen 4 metalurgë



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›