Roja i Vainës: Budjon Meçe torturoi Remzi Hoxhën
Sipas dëshmitarit, Avdyl Loshaj është kërcënuar se do ta varrosnin të gjallë në një gropë gëlqereje
"Në Vainë i sillnin njerëzit me thes në kokë dhe më pas torturoheshin gjatë marrjes së tyre në pyetje"
TIRANË- "Unë, kam parë nga dritarja jashtë, atë mustakun, atë kosovarin. Por, një agjent me emrin Budjon që e merrte në pyetje më urdhëroi të ikja nga dritarja, nga ku u ktheva në postbllok, ku kisha vendin e punës si roje".
Kështu, iu përgjigj pyetjes së prokurorit Xhevat Hana, ish-roja i ndërtesës së SHIK-ut në Vainë të Lezhës, shtetasi Viktor Sokoli, i pyetur për "rastet e shoqërimit dhe marrjes në pyetje të ndonjë personi në këtë ndërtesë nga agjentët e SHIK-ut".
Sipas dëshmisë së tij, në ndërtesën ku ai punonte si roje i godinës, kishte parë shumë agjentë që sillnin aty persona të ndryshëm me thes në kokë. Persona këta, që sipas tij, merreshin në pyetje për orë e ditë të tëra, deri në 15 ditë, ku, nuk mungonin edhe kërcënimet dhe dhuna e ushtruar ndaj tyre duke i detyruar të flisnin edhe ngjarje të paqena.
Mëngjesin e djeshëm, dëshmitari Sokoli nuk mbante mend shumë detaje të këtyre skenave që kishte parë aty, gjatë punës së tij njëmujore si roje, por ai u ndihmua nga prokurori i çështjes Hana, i cili lexoi procesverbalin e deklarimeve të dëshmitarit Viktor Sokoli dhënë para oficerëve të policisë në fazën e hetimit.
Sipas dëshmisë së tij, mësohet se, aty në ndërtesën e SHIK-ut në Vainë të Lezhës, ai kishte parë përveç Remzi Hoxhës edhe shtetasin kosovar Armand Loshajn, i cili mendohej se ishte agjent serb dhe kishte qëndruar disa ditë në Sarandë si gazetar austriak.
"Mbaj mend që ata (agjentët e SHIK-ut të Tiranës) sillnin herë pas here nga dy persona, të cilët i fusnin në ndërtesë me thes në kokë. I mbanin aty me orë e ditë të ndryshme. Një natë, mbaj mend kur unë po bëja punën e rojës me turn 24 orësh, njëri nga të shoqëruarit në ndërtesë që thoshnin se ishte një gazetar nga Kosova, e nxorën në oborr.
E kishin torturuar pa pushim për disa ditë. Atë e dërguan pranë gropës me gëlqere dhe i thoshin "do të të varrosim të gjallë këtu, ose do tregosh",-mësohet se kishte thënë dëshmitari Sokoli para prokurorisë, në kohën e marrjes në pyetje, procesverbal ky që u lexua para Gjykatës së Krimeve të Rënda me kërkesë të prokurorit Hana.
Sipas dëshmisë së Sokolit, brenda njërës prej dhomave që ndodheshin në katin përdhes, kishte parë të pandehurin Budjon Meçe (ndaj të cilit është veçuar dosja) duke marrë në pyetje biznesmenin kosovar Remzi Hoxha.
"Unë nga dritarja jashtë kam parë vetëm atë mustakun, atë kosovarin. Ishte duke u marrë në pyetje nga një Budjon që ishte ulur pranë një tavoline, ndërsa Hoxha ishte ulur në krevat- tha Sokoli, i pyetur se kishin ushtruar dhunë ndaj tij, dëshmitari u shpreh se "tani, ata nuk i kanë thirrë për kafe", duke lënë të kuptohet se ndaj tij po ushtrohej dhunë. Në procesverbalin e pyejtes së tij, roja ka pohuar se ndaj Remzi Hoxhës, ishte ushtruar dhunë në kohën që pyetej dhe kërcënohej.
Sipas tij, data dhe ora nuk i kujtohet, por ka qenë po ajo ditë që atë e kishin dërguar në atë ndërtesë ku kishte turnin e rojës. "Në Vainë të Lezhës, kisha filluar punë që nga 1 maj 1995 dhe katër ditë, pasi kam parë këtë skenë, mua më kanë larguar nga Vaina, duke më ngarkuar me detyrë tjetër në Lezhë",-nënvizoi në fund të dëshmisë së tij ish-roja i ndërtesës së Vainës së Lezhës, Viktor Sokoli.
Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme gjyqësore dëshmuan për llogari të akuzës, edhe pesë ish-agjentë të SHIK-ut, të cilët nuk mbanin mend dhe nuk kishin dëgjuar për rrëmbimin e shtetasve Ziso Kristopuli, Avdyl Loshaj dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës.
Sipas prokurorisë, për rrëmbimin e shtetasve Kristopuli, Loshaj e Hoxha, akuzohen ish-drejtori i SHIK-ut në kryeqytet Arben Sefgjini, tashmë i emëruar në krye të Zyrës së "Shërbimit të Provës", të pandehurin Ilir Kumbaro e Avni Koldashi, të cilët po gjykohen në gjendje të lirë.
Sipas kërkesës për gjykim, tre të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur.
Prokuroria: kërkohet dëshmitar Shaqa Shatri
TIRANË- Përfaqësuesi i organit të akuzës, prokuror Xhevat Hana, në seancën e djeshme gjyqësore ndaj tre ish-drejtuesve të SHIK-ut, kërkoi nga togat e zeza të thirret me cilësinë e dëshmitarit, shtetasi kosovar Shaqa Shatri, pas dokumenteve të së cilit është fshehur për shumë vite në Angli i pandehuri Ilir Kumbaro.
Sipas arsyetimit të prokurorit Hana, dëshmia e tij do të zbardhë enigmën e dokumenteve të tij, të cilat janë përdorur nga i pandehuri Kumbaro në Angli për të fituar azilin politik dhe shtetësinë angleze.
"Kërkojmë nga Gjykata, që në listën e dëshmitarëve të akuzës, të shtohet edhe emri i shtetasit kosovar Shaqa Shatri, me banim në rrethin e Prizrenit, pasi me emrin e tij i pandehuri Ilir Kumbaro i është fshehur drejtësisë shqiptare për disa vite. Thirrja e tij për të dëshmuar, do të zbardhë mënyrën e vjedhjes së identitetit të tij nga i pandehuri Kumbaro, për të cilin me kërkesë të autoriteteve shqiptare drejtësia londineze vendosi ta ekstradoi atë për në Tiranë.
Dëshmia e shtetasit kosovar Shaqa Shatri, do të zbardhë identitetin e vërtetë të të pandehurit Ilir Kumbaro dhe personalitetin e tij të kamuflimit të gjërave dhe ngjarjeve",-tha prokurori. Këtë kërkesë të akuzës, avokatët mbrojtës të zgjedhur nga familja nuk preferuan të japin ndonjë koment, ndërsa, avokati mbrojtës i të pandehurit, Arben Sefgjini, kërkoi që kjo kërkesë të rrëzohet.
Gjykata, e këshilluar në vend, vendosi të rrëzojë këtë kërkesë, me pretendimet se duhet të sillni dokumentacionin e nevojshëm për të pandehurin Ilir Kumbaro dhe procesin gjyqësor që është zhvilluar në Angli ndaj tij dhe pastaj, togat e zeza të shprehen.
Sipas prokurorisë, ka qenë një investigim 8- mujor i autoriteteve të drejtësisë londineze të cilët me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë mundur të zbulojnë vendndodhjen e të pandehurit Ilir Kumbaro dhe identifikimin e tij para gjykatës, edhe përkundër pretendimeve të tij, se nuk është shtetasi Kumbaro por kosovari Shaqa Shatri.