E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmët e pagjetura e hajduti diplomat i bankave të Tiranës

19/05/2009  Stili unik i një profesionisti që përdor të njëjtat fjalë gjatë vjedhjeve

TIRANË- Hajduti “diplomat” që preferon mesditën e së premtes për grabitjet e bankave nuk është rishfaqur prej pak ditësh në kryeqytet, ndërsa policia ende s’ka asnjë të dhënë për të. Metodat e tij të preferuara për grabitje mbeten të njëjta. “Raifaizen” është banka e synuar, orari i përshtatshëm mesdita (nga ora 12 deri në 15.00), e premtja dita e shënuar (ekspertët mendojnë se ka zgjedhur të premten për shkak se grumbullohen më tepër para dhe punonjësit janë më të çliruar psikologjikisht nga fundjava që afron). Gjithashtu në metodikën e tij të “zanatit”, hajduti përdor thuajse të njëjtat fjalë ekzakte gjatë atyre pak minutave, duke treguar një edukatë shembullore. Në fakt ai nuk thotë fjalë fyese apo tone të larta dhe zotëron një shqipe të kulluar standarde në të gjitha rastet kur kryen grabitje. Vjedhjet i kryen në zona të ndryshme dhe nuk shoqërohet nga askush. Specialistët e seksionit të vjedhjeve në policinë e Tiranës dyshojnë se djali (20 deri në 25 vjeç) mund të ketë pasur një eksperiencë grabitjesh më parë në shtete të tjera. Nëse çdo autor i një vepre penale lë një shenjë në vendngjarje, ky lloj hajduti duket se ka llogaritur gjithçka me përpikëri, sepse përpiqet që të mos lërë asnjë gjurmë atje ku kryen grabitjen e radhës. I maskuar me kapuç dhe me shqipen e kulluar hajduti “diplomat” lë të kuptohet se është i arsimuar dhe nuk shfaq asnjë shenjë dobësie gjatë “punës”, duke kaluar kështu në një shkallë më të lartë profesionalizmi, për shkak se aktiviteti i tij kriminal ka disa muaj që jo vetëm nuk zbulohet, por mbetet unik në stil. Policia e Shtetit nga ana e saj ka lajmëruar filialet e bankave të rrisin shkallën e gatishmërisë për shkak të këtyre grabitjeve profesioniste. Kamerat e sigurisë kapin vetëm lëvizjet në brendësi të bankës, por maskimi me kapuç dhe vendosja me kurriz janë dy elementë që nuk lejojnë fiksimin e shumë të dhënave. Një prej “kolegëve” të këtij hajduti aktual është arrestuar pak vjet më parë dhe pas ndalimit u verifikuan të gjitha grabitjet e bankave që ai kishte kryer në Zvicër dhe më pas këto metoda i aplikoi në Tiranë ku grabiti disa filiale.

Dy grabitje rrufe

Më 22 nëntor 2009 u grabit me armë një pikë “Raifaizen” në Tiranë pranë rrugës “Bardhyl”. Ka qenë ora 13.40, kur një person i armatosur ka hyre në filialin e “Raifaizen Bank” tek rruga “Bardhyl”. Sipas burimeve të policisë, personi i maskuar dhe i armatosur ka hyrë në ambientet e bankës duke grabitur një sasi prej 800 mijë lekësh të reja. Para pak muajsh një person i armatosur dhe me maskë ka grabitur një nga filialet e “Raiffeisen Bank”. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:30 të pasdites të “Zogu i Zi” në Tirane ku sipas policisë një person me maskë ka grabitur një shumë të konsiderueshme parash. Dëshmitarët në bankë kanë treguar për policinë se personi ishte i moshës rreth 25 vjeç, i maskuar me kapuç dhe i armatosur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›