E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: Hapja e kutive nuk prek vendimin e gjykatës

Deputeti i PS-së, Namik Dokle, deklaroi dje se objekti i komisionit hetimor për të hapur kutitë nuk synon ndryshimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor


TIRANË - "Objekti i komisionit hetimor parlamentar për të hapur kutitë e votimit nuk synon ndryshimin, rishikimin apo modifikimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor". Ky është argumenti që sjell sërish PS-ja kundrejt qëndrimit të vazhdueshëm të mazhorancës se hapja e kutive prek vendimin e gjykatave.


Deputeti i PS-së, Namik Dokle, ka deklaruar dje përmes një konference për shtyp se objekti i shqyrtimit gjyqësor të Kolegjit Zgjedhor është krejt i ndryshëm nga objekti i hetimit parlamentar të kërkuar nga Partia Socialiste.


"Përmbajtja e objektit të hetimit parlamentar që duan të ngrenë deputetet socialistë ka lidhje me çështje të tilla si: Mungesa e zbatimit të ligjit gjatë numërimit të votave; Shkeljet flagrante gjatë votimit në QV; Mangësi në përdorimin e teknologjisë mbështetëse të monitorimit të procesit e të numërimit të votave; Përdorimin e aseteve publike dhe administratës shtetërore në favor të një subjekti zgjedhor; Presioni shtetëror ndaj punonjësve për efekte elektorale; Lejet e përkohshme gjatë fushatës për personat e dënuar për vepra penale etj.", - tha ai.


Për pasojë, Dokle shtoi se ky objekt është në përputhje me parimet kushtetuese të mishëruara edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese mbi ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare.


"Ky objekt që ka të bëjë me transparencën si element kyç i demokracisë, mbështetet dhe në përvojat demokratike në SHBA, Itali, Rumani për të mos përmendur dhe Afganistanin. Ne shprehim dhe një herë vendosmërinë e Partisë Socialiste dhe të opozitës në kërkesat tona të drejta, legjitime, kushtetuese dhe mbrojtëse të votës së lirë e të vullnetit të paprekur të zgjedhësve.


I bëjmë thirrje Partisë Demokratike, qeverisë dhe posaçërisht Kryeministrit të reflektojnë në kohën e duhur, pa vonesë dhe me seriozitetin që duhet të ketë mazhoranca e një vendi anëtar i NATO-s dhe aspirant i BE-së.


Asnjëherë dhe askush nuk do të mundë te fshehë të vërtetën e zgjedhjeve. Asnjëherë dhe askush nuk do të mundë të përsërisë më manipulimin e 28 Qershorit", - tha Dokle.


Deputeti i PS-së përsëriti faktin se në tryezën e thirrur nga Presidenti Topi, Partia Socialiste shprehu vullnetin "për të kontribuar në zgjidhjen e krizës që ka mbërthyer vendin, për t'i dhënë fund një herë e mirë deformimit të votës së popullit dhe imponimit të paligjshëm të mungesës së transparencës mbi procesin zgjedhor".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›