Roli i çlirimit të Shkupit prej shqiptarëve, në vitin e pavarësisë
Në kohët e fundit librat me kujtime janë ndër librat më të kërkuar. Pavarësisht se librat e tillë shpesh janë komercialë dhe autobiografikë, kur flitet për librat me kujtime shkruar njëqind vjet më parë, ndryshon puna. Librat me kujtime të Eqerem Bej Vlorës, Ismail Qemalit dhe libri i ngjashëm me kujtime, “Problemet Shqiptare” të Mehdi Frashërit, janë librat që mbase më mirë nga çdo libër tjetër tregon historinë tonë kombëtare. Kjo mund të shpjegohet edhe nga ajo se në atë kohë popullsia ishte tërësisht analfabete dhe intelektualët tanë nuk frikoheshin nga shkrimet e tyre, për atë ishte normale të shkruanin realitetin. Sa u takon librave me kujtime të Edit Durham, Franc Nopças, Lord Bajronit, as nuk diskutohet realiteti, se si të jashtëm që ishin, realitetin e shikonin mbi palët ose thënë më ndryshe, mbi palën shqiptare dhe asaj sllave. Kur flitet për historinë zyrtare të shqiptarëve apo të maqedonasve, kemi shprehje katërçipërisht të kundërta, mirëpo kur marrim kujtimet dhe shkrimet e të jashtmëve, kemi një ngjashmëri më të madhe mes të jashtmëve dhe historisë shqiptare. P.sh., çdo qytetar evropian që ka vizituar Dibrën, apo çdo libërkujtim i ndonjë autori shqiptar e nxjerr kulturën e Dibrës të lidhur më shumë me Shqipërinë, qytet ku kanë filluar kryengritjet e para karshi Turgut Pashës dhe xhonturqve të tij. Të njëjtin rast e kemi edhe në Kosovë, ku Mitrovica e aq dëshirueshme nga serbët, përshkruhet si qendër e vatrës shqiptare kundër xhonturqve në librat e historisë shqiptare, por edhe të atyre me kujtime të Franc Nopcas. Gjithsesi edhe Dibra, edhe Mitrovica, pavarësisht historisë, diskutabile ose të vërtetë, ato sot janë toka me shumicë shqiptare. Aty ku kohët e fundit u diskutua më shumë ishte në lidhje me çlirimin e Shkupit. Që të bëjmë një rezyme të rastit, ky debat filloi me deklaratën e Jozefina Topallit në Parlamentin e Maqedonisë, ku deklaroi se Shkupi u çlirua nga shqiptarët, ku reagimet e historianëve maqedonas ishin të menjëhershme për të disaprovuar mendimin e saj. Më vonë, gjatë njëqindvjetorit të çlirimit të Shkupit, në gjithë mediat vizive u dha një citat i Eqerem Bej Vlorës, ku ai ia kushtonte Shkupit dhe kryengritjet në të. Normalisht citati i tij realist ishte përkrahës i asaj që përshkruhet si qytet i çliruar nga shqiptarët, por për ta forcuar akoma më tej tezën e çlirimit të Shkupit nga shqiptarët, krahas historisë sonë shqiptare, fjalisë së Jozefina Topallit dhe citatit të Eqerem Bej Vlorës, do të japim edhe një frazë nga një austrohungarez, Franz Nopca, i cili kur flet për Shkupin në librin e tij me kujtime në fillim të pjesës të katërt të librit shkruan me sa vijon:“Xhonturqit, në një mënyrë aspak të zgjuar, çuan deri në tronditjen e themeleve të forta të Perandorisë Osmane dhe kësisoj në krijimin e lidhjes ballkanike. Shqiptarët, të dobët brenda përbrenda, nëpërmjet fitores së tyre në Shkup çuan pjesërisht në rrëzimin e Turqisë. Tanimë filluan të veprojnë edhe një herë faktorë të fuqishëm, duke parashtruar kërkesat më të forta ndaj këtyre mureve të dobësuar”. Është radha e historianëve maqedonas që kundërshtitë mes nesh t’i bazojnë ndonjëherë duke cituar të jashtmit dhe jo duke vetëshkruar histori, pa t’i aprovuar kush.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”