Fokus/Dy Erionët, “shemrat” e kryetarit
Sekretari për Rininë e Emigracionin në PS, reagon pas akuzave të Erjon Braçes: “Braçe flet për gjëra të parëndësishme, unë lartësoj shokët”
Erion Veliaj ka deklaruar se Erjon Braçe merret me gjëra të parëndësishme dhe akuzon shokët e partisë. Është e çuditshme por e vërtetë, sekretari për Rininë e Emigracionin, Erion Veliaj ka reaguar pas thumbimit të deputetit të Berati, i cili pyeste nga faqja e tij personale në rrjetin social facebook, “A mund t’i thotë kush sekretarit Veliaj se reminitancat e emigrantëve nuk janë më 1 miliard, as dollarë e as euro?”. Braçe e mbyll komentin e tij me një fjali që duket se i drejtohet direkt sekretarit Veliajt, “Mos fol për gjëra që as i di e as s’i kupton, ky është mësimi”.
Ndërsa hakmarrja e Erion Veliajt ka ardhur një ditë më vonë në një prononcim për mediat, kur pranoi deklaratën e Braçes, “Ka pas reagim nga një deputet… por, besoj që në një ekip punohet për të lartësuar shokët, e jo për t’u marrë me gjëra të parëndësishme. Unë kam zgjedhur në këtë ekip t’i lartësoj shokët që bëjnë një avokati të shkëlqyer në Kuvend, sepse në këtë mënyrë shkohet në zgjedhje”.
Pikërisht në çështje zgjedhore, dy Erionët e Partisë Socialiste kanë pasur përplasje të mëdha. Në zgjedhjet parlamentare të 2009, Erion Veliaj, atëherë kryetar i partiçkës G 99 në aleancë në Partinë Socialiste kandidoi në qytetin e Beratit, në të cilën kandidaturë zyrtare e PS-së ishte, Erjon Braçe. Midis dy kandidaturave të opozitës së majtë për Beratin, ia doli të zgjidhej deputet i Kuvendit, Erjon Braçe, pasi arriti të grumbullonte jo pa forcë votën e së majtës duke lënë lashtë parlamentit, Erion Veliajn, beniamin e Edi Ramës. Pavarësisht humbjes, Rama bëri çmos që Erion Veliaj të ishte krahu i tij i majtë, në PS, çka ia doli me kooptimin e famshëm në parti. G 99 ishte një krijesë politike e Edi Ramës me të cilën synojë të interceptonte votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe të rinjve duke propozuar një forcë të re politike të dalë nga organizata radikale “Mjaft”. Dështimi në zgjedhjet parlamentare të 2009, me 00.9 për qind të votave të përgjithshme, detyroi Erion Veliajn t’i jepte fund eksperimentit artificial të hyrjes në politikë nga dritarja, duke u larguar nga drejtimi i partisë G 99. Një ditë të bukur deklaroi se do të mbyllte G 99 pasi ajo do të shkrihej me partinë mëmë, PS-së, kësisoj nuk zgjati shumë dhe Erjon Veliaj u kooptua nga Edi Rama. Ndonëse jo, u pa pagëzuar me provën e urisë me çadrat përballë kryeministrisë.
Kooptimi i tij në forumin më të lartë socialist ka ardhur si rezultat i dëshirës, ose më saktë si longa manus i pronarit të Partisë, Edi Rama. Ky i fundit është investuar me mish e me shpirt për të sjellë hirushen e politikës së re, në haremin e tij politik. Ka nevojë për fresk dhe jo për freski mendimesh. Dhe për fresk Veliaj është më profesionist se një skllav i Piramidave të Egjiptit me palmë në dorë.
Padyshim kooptimi i tij në Partinë Socialistë është tepër i dyshimtë. Për vetë faktin që në sistemit demokratike kooptimi nuk përdoret sepse konsiderohet si metodë jo demokratike. Dhe për më shumë i kooptuari në një asamble të paktën duhet të jetë anëtar i një grupimi politik prej së paku një viti. Çdo manual politologjie e konfirmon këtë.