E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i policisë në protokollin EULEX-SERBI

Ata vlerësojnë se protokolli është në favor të përmirësimit të situatës së sigurisë në vend. Ekspertët për çështje të sigurisë në Prishtinë thonë se në implementimin e protokollit për bashkëpunim policor ndërmjet EULEX-it dhe Qeverisë së Serbisë, duhet të përfshihet edhe Policia e Kosovës.

Ata vlerësojnë se, meqë protokolli bën fjalë, kryesisht, për përmirësimin e shkëmbimit të informatave për krimin e organizuar, përfshirja e Policisë së Kosovës në zbatimin e këtij dokumenti është e pashmangshme.

“Çështje tjetër që ka mbetur të trajtohet është se si do të fillojë apo do të zgjidhet bashkëpunimi në shkëmbimin e informacioneve operacionale, që nënkupton të dhënat”.  “Kjo është e rregulluar në Ligjin për Policinë e Kosovës në nenin 30.9 ku përcaktohet se kompetencën për dhënien e këtyre informacioneve, një organizate ndërkombëtare, e ka drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës. Pra, pa një bashkëpunim të faktorëve relevantë të brendshëm, sipas mendimit tim, nuk mund të zbatohet ky protokoll”, thotë Ibishi.

Përfaqësues të EULEX-it e kanë thënë se me nënshkrimin e protokollit për bashkëpunim policor me shtetin serb, procesi i forcimit të kontakteve drejt shkëmbimit të informatave ka hyrë në fazën fillestare.  Prishtina zyrtare, ndërkaq, vazhdon ta kundërshtojë marrëveshjen në fjalë, duke e quajtur atë “një çështje të mbyllur”.

Të pyetur nga “Radio Evropa e Lirë” për përfshirjen eventuale të Policisë së Kosovës në zbatimin e protokollit, zyrtarë nga ky mekanizëm nuk kanë dashur të prononcohen duke thënë se Policia e Kosovës, si organ ekzekutiv, zbaton urdhrat e institucioneve më të larta.  Mirëpo, eksperti Fadil Kajtazi nuk e kupton këtë mohim të institucioneve përgjegjëse.

“Kujtoj se shkëmbim informacionesh ka pasur edhe pa nënshkrimin e këtij protokolli. Policia e Kosovës ka pasur takime të rregullta edhe me policinë e Serbisë. Edhe EULEX-i ka pasur takime të rregullta me policinë e Serbisë. Protokolli vetëm e ka formalizuar një gjendje, e cila ka qenë e paformalizuar juridikisht”, shprehet Kajtazi.

Pas nënshkrimit të protokollit për bashkëpunim policor është paralajmëruar nënshkrimi i protokolleve EULEX-Serbi edhe për doganat dhe gjyqësinë.  Marrëveshje të ngjashme për bashkëpunim teknik, sipas Ibishit, ka pasur edhe në kohën e administrimit të Kosovës nga Kombet e Bashkuara.

“Kjo ka funksionuar edhe më herët, nën UNMIK-un. Ka pasur marrëveshje bashkëpunimi. Është edhe dokumenti i Kombeve të Bashkuara për luftimin e krimit i vitit 2000”. “Kishte qenë më e mira që në këtë marrëveshje, pasi që ka marrë një formë të prerë, të kenë kyçje direkte edhe autoritetet e policisë së doganave - pra të Policisë së Kosovës”, thekson ai.

Zbatueshmëria e protokollit në Kosovë, përveç se është diskutuar në skenën politike kosovare, është komentuar edhe nga përfaqësuesit e serbëve kosovarë.  Këta të fundit e kanë quajtur të papranueshëm zbatimin e protokollit për bashkëpunim policor, po qe se ky zbatim nuk bëhet në përputhje me Rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. (rel/start)

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›