E Diel, 1 Nëntor 2026

Roli i shoqatave në integrimin apo izolimin social të emigrantëve shqiptarë në Greqi!

Nga Fatos Malaj, Shoqata e shqiptarëve të Aspropyrgos

Gjatë viteve të fundit dhe si rezultat i zhvillimeve politike në BE është vënë re një interesim i veçantë për integrimin social të emigrantëve në shoqëritë evropiane. Argumenti bazë, i cili çoi në përshpejtimin e harmonizimit të politikave migruese, është arritja e kohezionit social, sidomos pas konflikteve të shënuara në qendrat urbane të metropoleve evropiane.

Në këtë aspekt dhe Greqia si një vend anëtar i BE ka filluar zbatimin e politikave që përkojnë me prioritetet e BE. Kështu, në faqen elektronike të Ministrisë së Brendshme, ypes.gr, janë shpallur detajet e tenderit të programeve të BE për integrimin social të emigrantëve që jetojnë në Greqi.

Më konkretisht, këto programe financohen nga Arka Evropiane e Integrimit të Shtetasve të vendeve të treta në kuadrin e programit të BE: “Solidariteti dhe Menaxhimi i Rrymave të Emigracionit” për periudhën 2007-2013. Kohëzgjatja e implementimit të projekteve aktuale është deri në fund të 2009-s. Në total janë vënë në dispozicion më shumë se 4 milionë euro për projekte që kanë si objekt:

(1) studime/kërkime të nivelit dhe të treguesve të integrimit social të emigrantëve në shoqërinë greke (2) sensibilizimin e shoqërisë greke

(3) informimin e emigrantëve

(4) trajnimin e nëpunësve civilë dhe të ndërmjetësve ndërkulturorë (diapolitismikoi diamesolavites)

(5) organizimin e aktiviteteve kulturore/sportive si dhe konferenca rreth temës dhe problematikës së emigracionit.

Afati skadues i dorëzimit të projekteve është data 14 prill 2009.

Me gjithë faktin që subjekt dhe objekt i këtyre programeve jemi NE, pra emigrantët që jetojmë pothuajse 20 vjet në tokën helene, dhe pavarësisht se të drejtë për të aplikuar kanë dhe OJQ-të (Organizatat Joqeveritare/Fitimprurëse, pjesë e të cilave janë dhe organizatat e emigrantëve), aktualisht indirekt kjo e drejtë nuk aplikohet në rastin tonë.

Po pse? - mund të pyesë dikush! Sepse, së pari, kriteret formale që vendos korniza e programit, nuk ka organizatë apo shoqatë emigrantësh që mund t’i përmbushë. Dhe së dyti, ne nuk dimë ose më mirë nuk duam të dimë si të përfaqësohemi në sferën publike, si të artikulojmë dhe të promovojmë kërkesat dhe të drejtat tona, pra si të imponojmë ekzistencën tonë sociale dhe politike. E thënë ndryshe, historia ripërsëritet dhe ne, prapë, mbetemi jashtë loje, pra dështakë!

Në momentin kur të gjitha palët e interesuara për të përfituar nga projekti i mësipërm dialogojnë, negociojnë, krijojnë aleanca apo bashkëpunojnë, ne, pra shoqatat e emigrantëve, merremi me skenarë komploti, mundohemi t’i nxjerrim sytë njëri-tjetrit, mundësisht ta asgjësojmë. Është fare e lehtë që dialogu rreth përfaqësimit publik të emigrantëve shqiptare në Greqi të fillojë duke akuzuar ekskluzivisht shoqërinë greke, duke ricikluar teoritë e konspiracionit dhe duke “gërmuar” fantazinë tonë të sëmurë, për të gjetur armiqtë e klasës (të jashtëm e të brendshëm), si në kohën e largqoftit. Sepse, fatkeqësisht, akoma në kulturën dhe mentalitetin tonë mbizotëron thënia anekdotike “për fatkeqësitë tona, fajin e ka gjithmonë tjetri”. Kanë kaluar pothuajse 20 vjet nga fillimi i emigracionit më masiv në historinë e Ballkanit modern, pra i emigracionit shqiptar në Greqi. Flasim për rreth 800 mijë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi, të cilët nuk kanë zë. Me pak fjalë, nuk ekzistojnë. Sepse të ekzistosh do të thotë të komunikosh, të përfaqësohesh, të kesh zë dhe opinion në dialogun publik, të shkëmbesh ide, eksperienca, të bashkëpunosh...!

Padyshim, ka plot “kryetarë” e “sekretarë” siloqesh, federatash, konfederatash e lidhjesh që përfaqësojnë veten e tyre. Që pa dashje, pothuajse me qëllim, ngatërrojnë koordinatat gjeografike nga kryetar p.sh., i Korintit, e gjen duke flirtuar me sekretarin e Aspropyrgos që papritur e pa kujtuar të nesërmen ndjeu madhështinë e te qenit “kryetar”, ndërsa kryetari i Korintit u zgjua sekretar i një federate X. Ose p.sh., nga kryetar i shoqatës së Megaros (pa statut gjithsesi), gjendet në Halkidhe të ishullit të Evies, ku pretendon të jetë atje... Zoti vetë, ndoshta, që ka ardhur në tokë me misionin të shpëtojë emigrantët... nga kush, vallë?

Po, komuniteti shqiptar duhet të “shpëtojë” nga ata që natë e ditë punojnë - megjithëse të gjorëve i del bretku në punë - me mllef dhe urrejtje primitive për të shkatërruar dhe shfarosur gjithçka cilësore dhe pozitive krijon bashkekzistenca me një kulturë politike dhe sociale “tjetër”, e ndryshme nga ajo që i degdisi në mërgim. Vetëkënaqen duke krijuar komplote për të “asgjësuar” kundërshtarin e fantazisë së tyre, e duke u vetëshpallur kryetarë. Kjo, padyshim, është “trofeu” i një ndërgjegjeje konfliktuale dhe patologjikisht të sëmurë, trashëguar nga sistemi autoritar i vendit tonë, i “tredhur”, gjithsesi, në emigracion.

Sinqerisht, pyetja kush i përfaqëson interesat e emigrantëve shqiptarëve në Greqi, është më aktuale se kurrë! Nga ajo varet niveli i integrimit dhe i dinjitetit tonë social, por për më tepër e ardhmja e brezit të dytë, pra e fëmijëve tanë. Duam të ndjehemi qytetarë me të drejta të barabarta të këtij vendi, apo dëshirojmë të mbetemi qytetarë të kategorisë së dytë apo të tretë, të vetizoluar dhe të margjinalizuar! Në rast se pranojmë që lojën e kemi lënë në duart apo këmbët e tjerëve, atëherë konkluzioni logjik i dalë është se jemi të denjë të fatit tonë. Por, gjithsesi, le të mbetemi optimist...!

alb.aspropyrgos@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›