E Diel, 1 Nëntor 2026

Të angazhohemi për të detyruar qeverinë të na kthejë pronat

Nga Kryesia e shoqatës A. K. “Bregdeti”

Kryesia e shoqatës “Bregdeti” me kujdes e dashamirësi analizoi shkrimin e të rinjve të bregdetit, të cilët të dëshpëruar nga zvarritja 18-vjeçare e kthimit të pronave te të zotët e tyre të ligjshëm, në shkrimin e tyre të botuar në gazetën “TemA”, datë 3 prill 2009, praktikisht, nuk kanë lënë gjë pa thënë për paaftësinë e kryesisë dhe të kryetarit të shoqatës për të realizuar këtë çështje jetike, që na preokupon të gjithëve.

Pas një analize të kujdesshme, kryesia e shoqatës në mbledhjen e saj, datë 10 prill 2009, arriti në përfundim në konkluzionet si më poshtë:

- Kërkesat e djemve tanë bregdetas për kryesinë, me disa përjashtime, janë të drejta. Kryesia konstaton me kënaqësi të madhe që më në fund djemtë tanë po ndërgjegjësohen dhe po kërkojnë t’i dalin për zot pronës se tyre të shenjtë dhe kërkojnë të ndeshen ballë për ballë me mafien e tokave të bregdetit, që përfaqësohet nga njerëz të veshur me pushtet, që vazhdojnë të shkelin ligjet dhe nuk pyesin për detyrimet kushtetuese dhe ato ndërkombëtare. Jo të moshuarit, por të rinjtë, pikërisht vetëm ata, djemtë e bregdetit, mund dhe duhet t’u tregojnë vendin përfituesve të paligjshëm të pronave tona. Ne,

kryesia e shoqatës, nuk ju veçojmë si ne (pleqtë) dhe ju (të rinjtë), por duam bashkim forcash për drejtësi dhe demokraci. Ne aq më tepër nuk duam përçarjen e shoqatës që grabitësit e pronave tona e projektojnë me 100 variante. Ju të rinjve ne ju falim çdo shprehje të pamatur e të gabuar, sikur në shkrimin tuaj të paktën të shënonit emrin dhe mbiemrin tuaj, por edhe këtë le ta hedhim pas krahëve dhe të shikojmë të zgjidhim shqetësimin tonë të përbashkët, se ne dhe ju kemi nevojë për njëri-tjetrin.

Është morale që të gjithë bregasit t’i shprehin respekt kryetarëve të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti”, Rrapo Danushi dhe Vangjel Lazri për përkushtimin dhe punën e tyre të palodhur shumëvjeçare. Është fakt se ne përpiqemi për pronat tona të bregdetit nga Vlora deri në Sarandë, dhe se asnjë i ri deri më sot nuk ka kërkuar të bashkëpunojë e jo më të marrë përsipër barrën e rëndë të drejtimit të shoqatës; gjithsesi më mirë vonë se kurrë, ne jemi gjithnjë të hapur. Në këtë kuadër ne jemi në përgjithësi dakord me përfundimin që keni arritur, se zgjidhja efektivisht e çështjes jetike të kthimit të pronave te të zotët, kërkon vrullin dhe dorën e të rinjve, që jeni ju, djemtë tanë, sepse ju do t’i gëzoni dhe jo ne që e kemi mbyllur ciklin dhe këto janë përpjekjet tona të sinqerta, që i bëjmë vetëm për të mirën e brezit tuaj.

Si variant më të suksesshëm në këtë sipërmarrje, ne propozojmë bashkimin e forcave tona të nevojshme, me forcat e brezit të ri, për të mos e lënë rininë të bjerë në gabime nga orientimet e gabuara të energjive të saj të pashtershme, që deri tani na kanë munguar. Ne tani shpresojmë te ju, ejani. Këtë boshllëk serioz të organizimit tonë, mafia e tokave në bashkëveprim me struktura të caktuara të shtetit e ka shfrytëzuar me sukses deri tani. Prandaj lëvizja juaj është në kohën e duhur për të demaskuar e dëbuar uzurpatorët nga pronat tona. Ne nuk kemi asnjë pretendim dhe jemi të gatshëm t’u dorëzojmë djemve tanë të bregdetit totalisht stafetën e kthimit të pronës te të zotët, veç merakut të gabimeve të mundshme nga mungesa e përvojës. Përfundimisht, ne presim ardhjen tuaj, pa humbur kohë për të bërë me urgjencën më të madhe organizimin e ri të shoqatës e të punës. E vetmja vërejtje publike që ne kemi për ju është trajtimi i njëllojtë i punës dhe i aktivitetit gjigant të shoqatës “Pronësi me Drejtësi” me tonën. Jo, të dashur djem të bregdetit. Shoqata kombëtare “Pronësi me Drejtësi” problemin e ka shumë më të madh e të komplikuar se i yni. Kjo sepse toka bujqësore prej rreth 500 mijë ha, që përbën pasurinë më të madhe dhe bazën e zhvillimit të bujqësisë, trajtohet nga ata. Ata kanë qenë dhe janë në ndeshje të përditshme me shtetin, me ligjet e gabuara që ky shtet ka nxjerrë dhe po ashtu edhe me zbatimin e gabuar të atyre ligjeve antipronar. Praktikisht, tokat bujqësore arë që ka vendi po kalojnë masivisht në troje pa pyetur për të zotët ose trashëgimtarët e tyre, duke i nëpërkëmbur ata dhe parimin themelor të çdo shteti demokratik. Ndërkohë, drejtuesit e shoqatës “Pronësi me Drejtësi” kanë sensibilizuar institucionet prestigjioze ndërkombëtare për padrejtësitë flagrante që u bëhen pronarëve të ligjshëm, duke bërë përpjekjen më të madhe për kthimin e pronës te të zotët në shkallë vendi. Jo më kot NATO dhe KE kanë kërkuar kthimin e pronës si kusht themelor për përparimin e bujqësisë, të turizmit, të shtetit ligjor dhe të demokracisë. Kurse ne, bregdeti, çështjen e kemi shumë më të thjeshtë e më të lehtë për ta zgjidhur, pa i shkaktuar asnjë problem shtetit, dhe ja sepse:

Siç dihet me ligj dhe me vendim të qeverisë Nr. 88 dt. 1.3.1993, zona jonë është e destinuar për zhvillimin me përparësi të turizmit elitar, pra tokat tona nga vetë qeveria që në 1993 janë konsideruar troje të cilësisë turistike. Për fat të keq shtetarët, për interesa të xhepit të tyre dhe të klaneve që kanë dashur të përfitojnë troje turistike ka ecur në rrugë të gabuar dhe me konsekuencë ka mohuar të drejtën tonë për pronën e trashëguar. Ky mentalitet në krye të pushtetit nuk ka dashur që turizmin në bregdet ta zhvillojnë të zotët e tokës me investitorët vendas e të huaj, nën kujdesin e mbështetjen e shtetit dhe të Ministrisë së Turizmit, i cili në radhë të parë të kthejë pronat tek i zoti dhe gjithashtu duke plotësuar detyrimet e veta, siç janë: - sigurimi i energjisë elektrike, uji, infrastruktura, projektet urbanistike etj.

Problemi është komplikuar nga lakmia e disa pushtetarëve dhe e mafies që deri tani kanë arritur për të trajtuar tokën e bregdetit, jo si tokë private me zotër të aftë për të bërë mrekulli, por si tokë shtetërore, në shkelje flagrante me çdo ligj dhe normë njerëzore. Dihet se shteti në bregdetin Jon veç kalave, rrugëve, trojeve me objekte publike mbi to, toka të tjera bujqësore, kullota, pyje etj., nuk ka pasur e nuk ka, veç në qoftë se sot do të dekretojë dhe deklarojë botërisht se Kushtetutën e vitit 1976 për tokën në Bregdet e zbaton me konsekuencë dhe nuk e ka shfuqizuar. Prandaj djema, ejani të bashkojmë forcat, se tani jemi në NATO, që njëkohësisht është bashkim politik i vendeve me të vërtetë demokratike, që i zbatojnë të drejtat themelore të njeriut, puna për ju është lehtësuar dhe së bashku i kemi të gjitha mundësitë dhe rrugët e hapura që çdo trung familjar të rimarrë dhe të gëzojë në paqe e për jete të jetëve tokat e trashëguara nga të parët tanë, punëtorë dhe atdhetarë. Çdo i ri bregdetas përfshi dhe autorët e shkrimit të analizuar janë të ftuar të vijnë dhe të diskutojmë lirisht të gjitha mendimet dhe propozimet e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›