Baxhanaku i Fahri Balliut, abuzime milionëshe në auditin e MPJ
Një grup diplomatësh dhe punonjësish të tjerë të MPJ kanë nisur prej ditësh një letër në redaksinë e gazetës “TemA”, ku denoncohen shkeljet e bëra nga baxhanaku i botuesit të gazetës “55”, këshilltarit të Sali Berishës, Fahri Balliu. Ata kanë kërkuar që të ruajnë anonimatin e tyre, për shkak të frikës së humbjes së vendit të punës dhe penalizmit politik që mund të marrin, edhe pse mbajnë mbi shpinë karrierën e nëpunësit civil. Gazeta “TemA” konsultoi burime pranë Ministrisë së Jashtme që konfirmuan të dhënat e nisura nga diplomatët. Edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit ka pohuar një gjë të tillë. Më poshtë vijon teksti i letrës së tyre, që përmban dhe informacionet për abuzimet e Altin Kodrës.
“Ne që po ju shkruajmë jemi një grup diplomatësh dhe punonjësish të tjerë të MPJ, me shërbim brenda dhe jashtë Shqipërisë, që për çështjen në fjalë kemi kohë që debatojmë dhe diskutojmë midis nesh, por pa zgjidhje.
Para se gjithash dëshirojmë të shprehim konsideratën tonë më të lartë për nivelin e gazetës “TemA”, që ju ndërtoni me aq guxim, profesionalizëm dhe kurajë qytetare, që fatkeqësisht akoma i mungon këtij vendi.
Me ju ne komunikuam para disa ditësh edhe me telefon për t’ju bërë të njohur vetëm një pjesë të ajsbergut “Altin Kodra” dhe “Ilda Dega”, që ka përfshirë prej vitesh Drejtorinë e Auditit (për fat të keq), dhe atë të Financës, si në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ashtu edhe në një numër të konsiderueshëm ambasadash, misionesh dhe konsullatash ku ka shkelur këmba “pseudoauditive” e Altin Kodrës.
Konkretisht, vetëm në Turqi në vitet 2007-2008 ai e di se sa të madh e ka zullumin që ka bërë, mbasi vetë auditi aktual i drejtuar nga zonja D. Shehu (drejtoresha e Auditit) në MPJ i konstatoi shkelje dhe abuzime të tilla, saqë i detyroi ata vetë t’i propozojnë para disa javësh ministrit Basha masë disiplinore për të, së bashku me shlyerjen e dëmit përkatës. Ai erdhi me vrap nga Turqia për të marrë njoftimin në fjalë...
Z. Kodra, që aktualisht për fat të keq të këtij shërbimi është ambasador në Turqi, këto zullume i kishte bërë, kur kishte shkuar atje si drejtor Auditi. Për periudhën që ka si ambasador, me siguri që do të ketë rezervuar bëma të tjera.
Përveç kësaj, tipik është fakti që është konstatuar nga diplomatët në disa ambasada ku kemi shërbyer, jo vetëm ne, por dhe koleget tanë, se në të gjitha rastet janë konstatuar abuzime skandaloze. Kodra ka udhëtuar krejt vetëm për të bërë këto pseudoaudite, kurse nga Tirana, udhëzimet për ambasadat, konsullatat dhe misionet i ka bërë zonja Dega, në formën e urdhrave ndaj shefave të misioneve për t’i dhënë paradhënie (që nuk u shlyen kurrë prej tij) z. Kodra, apo duke e autorizuar që t’i bëjë shërbime makinës së tij private, apo të blejë laptop-ë (që kurrë nuk u magazinuan në MPJ apo kurrë nuk u dukën faturat përkatëse) etj., etj. Kështu ka ndodhur p.sh.,:
Në ambasadën tonë në Danimarkë;
Në ambasadën tonë në Greqi - riparimi i makinës private të z. Kodra, mbi 4000 euro;
Në Spanjë - marrje paradhënie prej 3000 eurosh (viti 2006), e pashlyer deri në vitin 2009, gjë e cila është konstatuar edhe nga auditi aktual i Kontrollit të Lartë të Shtetit që ndodhet prej disa javësh në MPJ dhe vazhdon të jetë atje akoma (ekipi përbëhet nga Andrea Kristo, Milo Pano, Yllka Dede dhe Nerenxa Llapshtica);
Në Itali - 2 laptop-ë prej 2800 eurosh secili, që Zoti e di se ku janë;
Paradhënie për gruan e tij në ambasadën tonë në Poloni prej 500 eurosh, të cilën u detyrua ta shlyejë tani para disa javësh;
Paradhënie në Bukuresht prej 900 eurosh;
Blerje laptop-i në Milano 1380 euro para disa vitesh që përsëri Zoti e di se ku është, mbasi ne nuk disponojmë asnjë dokument për këto pseudoblerje të z. Kodra.
Në një ambasadë tjetër ai edhe motorin e makinës së tij private e ka ndërruar me eurot e shtetit etj.
Po kështu mund të vazhdohet edhe me shumë ambasada të tjera, ku ai ka bërë “kërdinë” me urdhër të financës dhe ndërkohë nga ana e tij bënte KRYQËZATA ndaj diplomatëve për të nxjerrë në pah “ndershmërinë” e tij alla Fahri Balliu, të cilin e përdor si mburojë për të gjitha këto zullume të padëgjuara më parë dhe për më tepër nga vetë drejtori i Auditit të Brendshëm të MPJ.
Kolegu jonë i ambasadës në Greqi, Vili Minarolli, ka kohë që i irrituar kërkon Raportin Final të Auditit që hartonte Kodra dhe nuk ka Zot që t’ia japë. Dhe ky është një fenomen që është përsëritur edhe në ambasada apo konsullata të tjera.
Duke ju përshëndetur edhe një herë për punën tuaj fisnike, shpresojmë që nga pena juaj të ndriçohet sado pak e vërteta edhe mbi këtë Gërdec Auditiv në MPJ.”