E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana-Vllaznia, binjaket e Superligës



Tirana e Vllaznia me fitoren e tyre të pastra, respektivisht kundër Elbasanit (3-0) e Partizanit (2-0) në javën e 27-të të Kategorisë Superiore, vazhdojnë marshimin si “binjake të bukura” (tani nga 54 pikë) drejt finales së javës së 33-të, ku mesa duket do të vendoset edhe fituesi i Kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, por përpara se të mbërrijnë në javën e fundit të sezonit 2008-2009, dy skuadrat elitarë të futbollit shqiptar, do t’u duhet të përballen midis tyre në gjysmëfinalet e edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, fillimisht në Shkodër (15 prill) e dy javë më pas në Tiranë (29 prill).

TIRANA-ELBASANI 3-0
Pjesën e parë Tirana nuk arriti të shënojë, por në fraksionin e dytë 23-herë kampionët e Shqipërisë shpërthyen kundër një Elbasani të mbërthyer nga kriza e rezultateve, duke realizuar tre gola. Heroi i takimit ishte pa dyshim Migen Memelli. Golashënuesi më i mirë i kampionatit shqiptar dha asistët e golave të Daniel Xhafës (52’) e kapitenit Devi Muka (78’), ndërkohë që sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi edhe vetë në fund të takimit, duke vulosur shifrat 3-0. Për Memellin ky ishte goli i 17-të sezonal, duke qenë kështu dukshme favoriti kryesor për fitimin e “Këpucës së artë” të kampionaitit, parë dhe faktin se kur duhen edhe gjashtë javë nga mbyllja e sezonit, ish-sulmuesi i Gaisit në Suedi ka realizur tre gola më shumë se ndjekësi i tij më i afërt, Sebino Plaku (Dinamo, 14 gola).

VLLAZNIA-PARTIZANI 2-0
Shkodranët vazhdojnë të ecin me të njëjtin hap si kryeqytetasit bardheblu, pas fitores së pastër 2-0 ndaj Partizanit në “Loro Boriçi”. Talenti 22-vjeçar Ndriçim Shtubina ishte edhe njeriu i ndeshjes, pasi shënoi një gol në minutën e 23-të dhe fitoi penalltinë në minutën e 64-t, pas faullit të mesfushorit të Partizanit, Dritan Babamusta. Veterani Suad Lici nuk gaboi nga pika e bardhë, duke ralizuar golin e dytë për Vllazninë e të tretin sezonal të tij nga pika e bardhë. Vllaznia do të luajë javën e ardhshme në Durrës me Teutën, ndërsa Partizani pret në shtëpi Tiranën.

DINAMO-TEUTA 1-2
Sulmuesi i Teutës e i Kombëtares U-21, Emiljano Vila, falë dy golave të tij në pjesën e dytë (55’ e 87’) ishte “killeri” i Dinamos, duke bërë të pavlefshëm kryeveprën e realizuar nga mesfushori dinamovit Artion Poçi në minutën e 38-të (gol nga goditja e lirë). Dinamo me hapin fals përballë Teutës (1-2), duke e ruajtur vendin e tretë në renditje, por tashmë me 7 pikë më pas se bashkëkryesuesit e kampionatit (Tirana e Vllaznia). Kjo ishte humbja e parë në shtëpi e trajnerit Shkëlqim Muça, i cili vuajti mungesën e Allmuçës, Bakajt, Diop e Ferrajt. Blutë e presidentit Besnik Sulaj, të eliminuar edhe nga Kupa e Shqipërisë (me vendim të Komisionit të Disiplinës të FSHF-së, pas aktivizimit të parregullt të Bakajt), duket se gjatë këtij sezoni nuk kanë më shansin për të fituar asnjëri nga dy trofetë e kompeticioneve futbollistike shqiptare.

BOX:
SHKUMBINI-BESA 1-0
Shkumbini, falë 20-vjeçarit Erjon Mustafaj (5’), ia doli të fitojë sfidën direkte për vendin e katërt në kampionat dhe betejën për një vend në Ligën e Europës. Shkumbini është edhe gjysmëfinalist në Kupën e Shqipërisë.

LUSHNJA-APOLONIA
Lushnja doli e pathyer nga derbi i mbijetesës, duke fituar 2-1 me Apoloninë në “Roza Haxhiu”. Sekseri (40’) shënoi një eurogol nga një distancë e largët, ndërsa në të dytën realizoi Bubeqi (55’). Dhrami (85’) shkurtoi diferencën për Apoloninë.

BYLIS-FLAMURTARI 1-1
Bylisi e Flamurtari ndanë nga një pikë në ndeshjen e “nxehtë”. Zëvendsuesi 18-vjeçar Ardit Shehaj (78’) shënoi i pari për vlonjatët, ndëra për Bylisin barazoi Klevis Dalipi (82’). Bylisi mbyll renditjen e Kategorisë Superiore.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XXVII
11.04.2009, ora 16:30

Tirana-Elbasani 3-0
Shënues: Xhafa 52’, Muka 78’, Memelli 88’

Vllaznia-Partizani 2-0
Shënues: Shtupina 23’, Lici 64’ (p)

Dinamo-Teuta 1-2
Shënues: Poçi 38’/ Vila 55’, 87’

Shkumbini-Besa 1-0
Shënues: Mustafaj 5’

Bylis-Flamurtari 1-1
Sheënues: Dalipi 82’/ Shehaj 78’

Lushnja-Apolonia 2-1
Shënues: Sekseri 40’, Bubeqi 55’/ Dhrami 85’

RENDITJA

Tirana 54
Vllaznia 54
Dinamo 47
Shkumbini 41
Besa 38
Teuta 38
Flamurtari 30
Partizani 29
Lushnja 29
Elbasani 27
Apolonia 25
Bylis 25

KATEGORIA E PARË
JAVA XXV
11.04.2009, ora 16:30

Dajti-Ada 4-0
Gramozi-Naftëtari 2-0
Skënderbeu-Sopoti 4-1
Pogradeci-Turbina 2-1
Bilishti-Laçi 1-1
Kastrioti-Burreli 1-0
Skrapari-Luftëtari 1-0

13 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›