E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roma, dorëhiqet RanieriMontela trajneri i ri

ROME- Klaudio Ranieri nuk është më trajneri i Romës, duke dhënë dorëheqjen pas humbjes 4-3 ndaj Xhenoas ditën e diel. Tekniku roman ka vendosur të thotë “stop” pas 4 humbjeve radhazi mes kampionatit dhe Ligës së Kampioneve. Në vend të tij, Roma ka zgjedhur si trajner të ri Vinçenco Montelën, ish-sulmues i kësaj skuadre dhe aktualisht trajner i ekipeve zinxhirë. Montela ka arritur akordin me drejtuesit e klubit për ta drejtuar skuadrën deri në fund të sezonit, duke synuar ta çojë në Ligën e Kampioneve. Largimi i Ranierit vjen në një moment delikat për Romën, e cila është në proces shitje te grupi amerikan Di Benedeto. Ndërkohë, atmosfera në kampin e Romës nuk duket aspak e qetë, pasi tifozët vazhdojnë të kontestojnë skuadrën, e cila në ndeshjet e fundit ka arritur vetëm humbje. Përsa i përket dorëheqjes së Ranierit, ajo është komentuar gjatë në Itali. Presidentja e Romës Rosela Sensi e vlerësoi atë si një profesionist të madh dhe si një person të mrekullueshëm e të ndershëm, ndërkohë që trajneri i kombëtares Çezare Prandeli e quajti dorëheqjen e tij si një akt përgjegjësie të lartë. “Përgjegjësia për këto rezultate nuk është vetëm e tij”, deklaroi Prandeli. Komente kanë ardhur edhe nga trajnerë të tjerë italianë, ndërkohë që kryetari i bashkisë së Romës Xhani Alemano u shpreh më tepër i shqetësuar për shitjen e klubit, sesa për largimin e teknikut.
(balkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Roma, dorëhiqet Ranieri Montela trajneri i ri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›