Roma endërron hakmarrjen kundër Mancesterit

12 muaj më parë Roma fitoi 2-1 me "Djajtë e kuq", dhe "Olimpiko" do të presë sot (20:45) një nga sfidat më tërheqëse të cerekfinaleve të Ligës së Kampioneve. Roma, që eliminoi Realin e Madridit në raundin e kaluar, do të përballet sërish në cerekfinale me Mancester Junaitid, kampion i Europës në vitin 1968 dhe 1999. Takimi Roma-Mancester do të gjykohet nga gjyqtarë belgë me kryesor Frank De Bleeckere.
Herën e fundit dy ekipet u përballën sërish në cerekfinale në kryeqytetin italian, Roma fitoi 2-1, por Mancesteri fitoi me rezultat të përgjithshëm 8-3, ku e paharrueshme mbetet fitorja 7-1 e "Djajve të kuq" në "Old Traford", njëherësh edhe fitorja më e madhe e Mancesterit në kompeticionet e UEFA-s për klubet që nga viti 1968. Në takimin e fundit në Angli, të vlefshme për fazën e grupeve, Roma humbi më 2 tetor 2007 me rezultatin 1-0 (gol i Uejni Runit), ndërsa ai i kthimit në Romë, më 12 dhjetor 2007, përfundoi 1-1 (Tadei për Romën, Pike për Mancesterin).
Portieri i Romës, Doni, tha për uefa.com: "Ishte me të vërtetë një ndeshje e keqe për ne në ‘Old Traford', por këtë vit ne jemi ndryshe, kemi më shumë eksperiencë. Pesë apo gjashtë lojtarë në skuadrën tonë e dëshironin Mancesterin, me qëllimin që të hakmerreshim".
Mesfushori i Romës, Devid Pizarro, tha se skuadra e tij është e gatshme për "hakmarrje" për atë humbje poshtëruese 7-1 nga Mancester Junaitid, kur të dyja skuadrat u takuan në cerekfinalet e Ligës së Kampioneve sezonin e kaluar.
Dy skuadrat janë takuar edhe në fazën e grupeve. Mancesteri fitoi 1-0 në "Old Traford" dhe barazoi 1-1 në "Olimpiko". Pas eliminimit të Realit të Madridit në raundin e parë me nokaut, braziliani është i bindur se Roma nuk do të vuajë të njëjtin fat. "Ne duhet të bëjmë dy ndeshje të mëdha dhe të arrijmë në gjysmëfinale. Ne fituam në Madrid dhe kjo na jep më shumë besim. Ne e dimë se mund të mundim këdo".
Roma është e pathyer në shtëpi në nëntë ndeshjet e fundit në Ligën e Kampioneve ku ka arritur gjashtë fitore dhe tre barazime. Në dhjetë ndeshjet e fundit kundër ekipeve të ndryshme angleze, Roma ka fituar pesë takime, barazuar tre dhe humbur dy.
Në ndeshjen e fundit në Serinë A, Roma barazoi me Kaljarin 1-1. Trajneri Spaleti tha: "Ne i meritonim tri pikët". Ndërkohë që Toti me golin e tij arriti në kuotën e 165 golave. Roma nuk ka humbur asnjë ndeshje në shtëpi qysh prej 29 shtatorit 2007, kur Interi fitoi 4-1. Në 17 ndeshje, qysh prej atij takimi në të gjitha kompeticionet, Roma ka fituar 15 ndeshje dhe ka barazuar 2 të tilla.
Mancester Junaitid është një nga tre ekipet, së bashku me Barcelonën e Celsin, që nuk ka njohur humbje gjatë këtij edicioni. Në katër ndeshje të luajtura jashtë shtëpisë skuadra e Fergusonit ka arritur dy fitore dhe dy barazime. Junaitid ka shijuar shumë pak sukses kundrejt ekipeve italiane, kur ndeshjet janë luajtura në Itali. Në 14 ndeshje të zhvilluara Mancesteri ka humbur 10 ndeshje, duke fituar vetëm dy prej tyre, ku një prej tyre është ajo kundër Juventusit (2-3) në vitin 1999. Mancesteri, nga ana e tij, në kampionatin anglez shkatërroi Aston Vilën 4-0, e 700-ta nën urdhrat e trajnerit Aleks Ferguson. Rio Ferdinand ka shansin të luajë ndeshjen e tij të 50-të në Ligën e Kampioneve, ndërsa Mikael Silvestër të 75-n në Europë.
Kur në short ishin katër skuadra angleze, trajneri i Mancester Junaitid, Sër Aleks Ferguson, mbeti i befasuar duke parë që të ciftohej me Romën sërish. "Është e pabesueshme", - tha Sër Aleks për manutd.de. "Unë kisha një parandjenjë të fuqishme se do të përballesha me një ekip anglez. Është argëtuese të mendosh se do të përballemi me Romën gjashtë herë brenda një viti. Është një cift shumë intrigues, pasi ne dimë shumë për Romën, por dhe ata dinë shumë për ne. Unë kam parandjenjën se do të jetë një cift i madh europian", - shtoi ai. Ndeshja e parë do të luhet të martën, më 1 prill, në Romë, ndërsa ajo e kthimit në "Old Traford" tetë ditë më pas.
Rruga drejt finales
Përvec hedhjes së shortit të cerekfinaleve në "House of European Football", u përcaktua edhe rruga që do të ndjekin tetë ekipet drejt finales. Tashmë skuadrat fituese të katër cifteve i dinë kundërshtarët me të cilët do të përballen në gjysmëfinale, takimet e të cilave do të luhen më 22,23 dhe 29,30 prill 2008. Nëse Celsi do të kualifikohet, do të ndeshjet me fituesin e ciftit Arsenal-Liverpul, në një tjetër betejë të tërë angleze, ndërkohë që Shalke ose Barcelona do të përballen me fituesen e ciftit Roma-Mancester. Finalja do të zhvillohet në stadiumin "Luzhniki", në Moskë, më 21 maj (ora 20:45).
Barca në krizë, "qymyrxhinjtë" kërkojnë fitore
Drejtori Teknik i Barcelonës, Tiki Bergirishtajn deklaroi se klubi i tij është zhytur në një krizë të plotë pas humbjes shokuese kundër Real Betis, ku Barcelona, nga avantazhi 0-2 humbi 3-2. "Tifozët nuk duan fjalë. Ata vetëm duan të shohin aksionet e duhura. Barcelona duhet të reagojë. Rajkard nuk do të largohet nga detyra e tij", - tha Bergirishtajn për televizionin katalanas. Kundër Shalkes do të mungojnë Deko dhe Ronaldinjo.
Shalke 04, që eliminoi Porto nga gjuajtjet e penalltive dhe që merr pjesë për herë të parë midis tetë më të mirave, do të përballet me Barcelonën, fituese e Ligës së Kampioneve në vitet 1992 dhe 2006. Trajneri i Shalke 04, Mirko Slomka, e konsideroi si "një super short për klubin dhe ekipin". Shalke do të bëjë debutimin për herë të parë në erën moderne të Ligës së Kampioneve, pasi më parë ka arritur në cerekfinale në Kupën e Kampioneve të Europës në sezonin 1958-1959, kur u eliminua nga një tjetër ekip spanjoll, Atletiko e Madridit. Shalke 04, e njohur me nofkën "qymyrxhinjtë", kërkojnë fitore me Barcelonën, fituese e Ligës së Kampioneve në vitet 1992 dhe 2006.
"Barcelona është një super short për klubin dhe për skuadrën", - tha trajneri, skuadra e të cilit do të presë në shtëpi Barcelonën më 1 prill, përpara se të luajë ndeshjen e kthimit në "Kamp Nou" tetë ditë më pas. "Natyrisht, është një ndeshje e shkëlqyer për fansat, pasi cdo futbollist i Barcelonës është në superyll. Por me tifozët pas ne jemi në gjendje të luajmë një ndeshje shumë të mirë dhe të marrim një rezultat të mirë përpara ndeshjes së kthimit në Barcelonë". Shalke ka luajtur 14 herë kundër ekipeve spanjolle, duke fituar pesë, barazuar katër dhe humbur pesë. Barcelona është ndeshur 43 herë kundër ekipeve gjermane, duke arritur 23 fitore, nëntë barazime dhe njëmbëdhjetë humbje. Drejtori Sportiv i Barcelonës, Aitor "Txiki" Beguirishtajn, mendon se skuadra e tij nuk duhet të ndikohet nga statistikat. "Ne duhet të jemi të kujdesshëm. Shalke ishte një nga ato skuadra që ne do të dëshironim të ndesheshim në këtë fazë, por e rëndësishme për ne është që do të luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi dhe kjo është realisht pozitive për ne. Ne duhet të jemi seriozë, pasi vetëm ekipet e mëdha arrijnë në cerekfinale".
CEREKFINALET
1 prill 2008
1. Roma- Mancester Junaitid
2. Shalke 04- Barcelona
2 prill 2008
3. Fenerbahce-Celsi
4. Arsenal- Liverpul
NDESHJET E PARA:
1-2 prill 2008
Ndeshjet e kthimit
8-9 prill 2008
Golashënuesit
6 Lionel Messi (Barcelona)
6 Kristiano Ronaldo (Man. United)
5 Steven Xherard (Liverpul)
5 Raul Gonzalez (Real Madrid)
5 Zlatan Ibrahimovic (Inter)
5 Frederik Kanute (Sevilja)
4 Karim Benzema (Lion)
4 Fernando Torres (Liverpul)
LIGA E KAMPIONEVE, SKUADRAT CEREKFINALISTE
ROMA
Shteti: Itali
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Francesko Toti
Ndeshje në Europë
Total: 180
F:85, B:41, H:54
MANCESTER JUNAITID
Shteti: Angli
Fitues: 2 herë
1968, 1999
Ylli i skuadrës:
Kristiano Ronaldo
Ndeshje në Europë
Total: 244
F:129, B:63 H:52
SHALKE 04
Shteti: Gjermani
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Herbert Nojer
Ndeshje në Europë
Total: 113
F:60, B:24, H:29
BARCELONA
Shteti: Spanjë
Fitues: 2 herë
1992, 2006
Ylli i skuadrës:
Lionel Mesi
Ndeshje në Europë
Total: 352
F:194, B:79, H:79
---------------------------------
FENERBAHCE
Shteti: Turqi
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Roberto Karlos
Ndeshje në Europë
Total: 140
F:46, B:22 H:72
CELSI
Shteti: Angli
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Didier Drogba
Ndeshje në Europë
Total: 118
F:64, B:31, H:23
ARSENALI
Shteti: Angli
Fitues: Asnjëherë
Ylli i skuadrës:
Sesk Fabregas
Ndeshje në Europë
Total:165
F:80, B:44, H:41
LIVERPULI
Shteti: Angli
Fitues: 5 herë
1977, 1978, 1981,
1984, 2005
Ylli i skuadrës:
Stiven Xherard
Ndeshje në Europë
Total: 264
F:149, B:57, H:58