E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehu: Shkeljet e konstatuara nga auditimi në FSHF

Në intervistën e dhënë gazetës "TemA", drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Auditit të Brendshëm, Pajtim Shehu, ka bërë publike për herë të parë shkeljet e vërejtura në Federatën Shqiptare të Futbollit. Sipas Shehut, nga auditimi i bërë në këtë institucion janë vërejtur një sërë shkeljesh të rënda, të cilat i janë dërguar prokurorisë për hetim të mëtejshëm. Shkeljet e vërejtura kanë të bëjnë me një sërë fushash, si lidhur me të drejtën e transmetimit televiziv të ndeshjeve kombëtare, lidhur me kompleksin sportiv të Kamzës, të ndërtuar nga federata, lidhur me shitjen e biletave të ndeshjeve të kombëtares shqiptare, në lidhjë me mosdeklarimin real të të ardhurave dhe shpenzimeve etj. Shehu thekson, se nga shkeljet e vërejtura në FSHF, rezultojnë shuma të mëdha parash, të cilat janë lëvruar në mënyrë abuzive prej drejtuesve të lartë të federatës.
Z. Shehu, Drejtoria e Auditit është përfshirë në një debat mbi kontrollet financiare në Federatën e Futbollit. A është bërë ky kontroll dhe cilat janë rezultatet e para të punës së këtyre kontrolleve në këtë institucion?
Sic jeni në dijeni, në janar të vitit 2008, u fillua procesi i auditimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Ky proces është një punë rutinë e DPA. Ky auditim bëhet në frekuencën dyvjecare që ka misioni i auditimit, misioni i fundit ka përfunduar në mars të vitit 2006. Gjatë këtij auditimi nuk do të auditohen fondet e dhëna nga FIFA dhe nga UEFA, por do të kontrollohen fondet e dhëna nga buxheti i shtetit dhe të gjitha ato fonde apo raste, ku përfituesit janë kompani private shqiptare. Që në fillim, auditimi ka hasur në pengesë institucionale nga FSHF, sic edhe pritej, gjë që tregon për një "frikë" të pashpjegueshme nga zyrtarët e FSHF. Megjithatë, për të shmangur keqkuptimet e lindura nga programi i parë dhe grupi i parë, ministri i Financave lëshoi urdhrin e dytë në datën 21 shkurt dhe aktualisht, afati për kryerjen e auditimit ka përfunduar, por është shtyrë në rreth 4-5 ditë, pasi duhen përfunduar disa kryqëzime të tjera që kanë dalë rrugës gjatë misionit dhe në mesin e javës së ardhshme, ky raport do të bëhet publik.
Mund të na përmendni disa prej shkeljeve të gjetura, pavarësisht se ende raporti nuk është bërë publik?
Shkeljet e konstatuara janë në shuma të mëdha, pavarësisht nga numri i rasteve. Duke ruajtur pavarësinë e grupit të auditimit, po bëjmë publike për herë të parë në një media të shkruar disa prej këtyre abuzimeve sic janë: e drejta televizive, blerja e ambienteve të FSHF, kompleksi sportiv në Kamëz, mosdeklarimi real i të ardhurave dhe shpenzimeve etj. Konkretisht, për të drejtën televizive procedura nuk ka qenë transparente dhe për më tepër është e legalizuar nga FSHF. Për më tepër, shprehimisht, në dokumentacionin e FSHF drejtuar kompanive pjesëmarrëse në tenderin për të drejtat televizive thuhet: "Për më tej, FSHF nuk është e detyruar të njoftojë palët jofituese rreth vendimit të saj dhe/ose t'iu japë shpjegime për vendimet e saj". Më tej, në këtë dokumentacion gjithashtu thuhet se FSHF nuk ka të drejtën e vendimit të saj të pakundërshtueshëm të modifikojë ose anulojë këtë ftesë në cdo kohë. Dhe për ta kuptuar këtë, ka edhe një ankesë zyrtare nga kompania "KENTARO", e cila akuzon drejtpërsëdrejti drejtuesit e FSHF për mostransparencë në procesin e tenderimit dhe hapje të ofertave jo në të njëjtën kohë. Është e cuditshme që shuma prej 2.7 milionë eurosh, e cila ka të bëjë me të drejtat televizive, është përdorur dhe kontraktuar vetëm nga një kompani dhe vec kësaj, kjo është një kompani me qendër në Durrës. Gjithashtu, publikun shqiptar e bëjmë me dije që standardet në tender kanë qenë jo të njëjta. Për shembull, kjo e drejtë televizive për territorin e abonentëve me pagesë i është dhënë kompanisë "SAT +" kundrejt një vlere prej 5 mijë eurosh për pesë ndeshje, pra 1000 euro për ndeshje. Ndërkohë, RTK dhe RTSH, për të njëjtin numër ndeshjesh, kanë paguar shumë më shtrenjtë, megjithëse transmetojnë pa pagesë. Shifra e paguar prej tyre shkon në mbi dhjetëfish, gjë që përbën një provë më se të mjaftueshme për të filluar hetimet. Lidhur me kompleksin sportiv të Kamzës, të ngritur disa kohë më parë nga FSHF, në të cilin stërviten edhe ekipet kombëtare, ka një sërë të dhënash për veprime abuzive dhe arbitrare të federatës. Bëhet fjalë për një investim në shumën 432 mijë euro të kryer nga dy kompani të huaja, njëra holandeze dhe tjetra zvicerane. Këto kompani kanë vepruar me një nënkontraktor shqiptar dhe kësaj here, përsëri jo nga Tirana, por nga një qytet i vogël në jug të vendit. Nga kompania nënkontraktore, nga 54 milionë lekë (432 mijë euro) janë deklaruar vetëm 31 milionë. Gjithashtu, i dyshimtë dhe nën hetim është edhe fakti që ky ndërtim është ngritur mbi sipërfaqen e një trualli, për të cilin nuk ekziston as pronësia nga FSHF, dhe që vec të tjerash i është bërë dhuratë nga ish-ministri Duka, të vëllait të tij me një urdhër të pabazuar në ligj. Gjithashtu, për këto punime të kryera nuk disponohet situacioni përfundimtar i punimeve dhe zërat e tij, cka na përforcon dyshimin që vlera prej 432 mijë eurosh nuk ka qenë vlera e vërtetë, pasi ajo vlerë i korrespondon shumës 250 mijë euro. Gjithashtu, shkelje të tjera janë vërejtur edhe lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet nga stadiume për ndeshjet ndërkombëtare, shkelje këto, të cilat janë evidente. Për shembull, të ardhurat e federatës nga ndeshjet e zhvilluara nga kombëtarja shqiptare brenda vendit rezultojnë në një shumë prej vetëm 5 milionë lekësh. Ndërkohë, gjithkush nga ne me një llogari të thjeshtë, duke ditur cmimin e biletës, si dhe duke llogaritur numrin e madh të tifozëve në stadiume gjatë ndeshjeve të kombëtares, e kupton se kjo shifër nuk mund të jetë reale. Gjithashtu, një tjetër problem që lidhet me të ardhurat është që FSHF raporton një numër të madh biletash të pashitura,në një kohë kur stadiumet tona gjatë ndeshjeve të kombëtares kanë qenë të mbushura plot. Ndryshe nga c`ka bërë FSHF, tashmë ne do të bëjmë një raport, i cili do të jetë publik dhe transparent, i cili do t'i dërgohet gjithashtu edhe FIFA-s dhe UEFA-s.
Zoti Shehu, sic dihet, Federata Shqiptare e Futbollit është pezulluar nga organizmat botërorë, për shkak se, sipas federatës, ka ndërhyrje në punët e saj nga politika. A është në përputhje me ligjin kontrolli juaj në federatë? Cila është baza ligjore e kontrollit tuaj?
Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF), funksionimin e saj e bazon ne Ligjin nr.8788, datë 7.5.2001 "Për organizatat jofitimprurese", në të cilin përcaktohen rregullat për themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse, të cilat ndjekin qëllime në të mirë dhe në interes të publikut. Në vijim të
përkufizime të bëra në këtë ligj dhe frymës që e përshkon atë, flitet për "mbledhje publike të fondeve" apo "veprimtari në të mirë dhe në interes të publikut". Ndërkohë, në nenin 41 të këtij ligji thuhet shprehimisht: "Organet kompetente shtetërore kanë të drejtë të mbikëqyrin organizatat jofitimprurëse për sa i përket zbatimit të legjislacionit tatimor, doganor, të sigurimeve shoqërore, të lejimit të ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, të kontraktimit të ushtrimit të shërbimeve publike e sociale, si dhe për përmbushjen e veprimtarive të tyre me fonde të buxhetit të shtetit", ku me "organe kompetente shtetërore" kuptohet "organi shtetëror, fusha e kompetencës së të cilit është e njëjtë ose e ngjashme me fushën e veprimtarisë së organizatës jofitimprurëse ose organi shtetëror i përcaktuar në ligj", sipas përcaktimit të bërë në nenin 2, pika 2 të këtij ligji. Dhe në Kapitullin e VII, "Licencimi, të ardhurat dhe veprimtaria ekonomike", të këtij ligji nuk flitet për një skemë të pastër të sektorit privat, sepse përfitimet që mund t'i vijnë këtyre OJQ nga veprimtaria ekonomike dhe joekonomike kushtëzohen vetëm për përdorim të realizimit të qëllimeve të përcaktuara në statutet e këtyre organizatave (neni 2, pika 4). Gjithashtu, përkufizime për OJQ si organizma "veprimtaria e të cilave zhvillohet në mënyrë të pavarur dhe pa u ndikuar nga shteti", apo përcaktimet e bëra në nenin 6 të këtij ligji, nuk nënkuptojnë kufizime të mënyrave të kontrollit, përderisa në këtë ligj nuk thuhet sesi bëhet auditimi i burimeve të financimit të këtyre organizmave, cka nënkupton që ligje të tjera të shtetit e përcaktojnë atë. Kjo pavarësi nga organet shtetërore lidhet me themelimin, regjistrimin, funksionimin, organizimin dhe veprimtaritë e këtyre OJQ. Besoj se është e qartë gjithcka dhe zhurma që bën federata s'ka aspak qëllim të mbrojë pavarësinë e saj të garantuar me ligj.
Bisedoi: Ergys Mertiri
Gazeta "Tema"

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›