Roma ëndërron titullin, mposht 2-1 Interin
Një Romë e jashtëzakonshme “fundos” Interin me rezultatin 2-1 në sfidën e parë të javës së 31-të të Serisë A dhe rihap garën për titull. Me fitoren që ka ardhur falë golave të Daniele De Rosit dhe Luka Tonit, verdhekuqtë e drejtuar nga trajneri Klaudio Ranieri, tashmë ndodhen vetëm një pikë larg të besuarve të Zhoze Murinjos. Vendasit hapën serinë e golave kur kronometri tregonte 17 minuta lojë, me De Rosin që shfrytëzon një gafë të pafalshme të portierit Zhulio Sezar, pas devijimit me kokë të Burdisos. Roma nuk arrin të shfrytëzojë dominimin në pjesën e parë dhe shpërdoron disa raste për shënim. Në fraksionin e dytë të lojës, Interi shndërrohet në një skuadër të frikshme, duke barazuar shifrat me Militon, në të 66-n. Megjithatë, 7 minuta më vonë është Toni ai që realizon golin e fitores së verdhekuqve, të cilët kanë qenë edhe me fat pas dy traversave dhe një shtylle të goditura nga Interi.
#