Pëllumbi: PS të kombinojë aksionin politik në Parlament dhe protesta
Ideologu i së majtës shqiptare, përkatësisht ish-kryetari i Parlamentit, Servet Pëllumbi, kërkoi dje që Partia Socialiste duhet të mbajë një qëndrim të kombinuar, si për protestat ashtu edhe për qëndrimin në Kuvend. “Bojkoti deri tani e ka kryer misionin e vet dhe këtej e tutje, PS në Parlament do të mbajë një qëndrim më aktiv dhe nëpërmjet luftës parlamentare të tregojë se ku qëndrojnë problemet në demokracinë shqiptare. Lufta do të bëhet në seancën parlamentare, në komisione, në delegacionet ku përfaqësohet PS, në Parlamentin Europian, në Këshillin e Europës” tha Pëllumbi. Profesori i socialistëve shqiptarë zhvilloi dje një takim joformal me kreun e PS-së, Edi Rama, dhe më pas shpjegoi qëndrimin e tij para medias. Sipas Pëllumbit, grupi parlamentar i PS-së, duhet të marrë pjesë edhe në mbledhjet e komisioneve parlamentare, por edhe në grupimet e tjera. Ndërkaq, në mbledhjen e Asamblesë së PS-së, deputeti Erjon Braçe, bëri thirrje për një funksionim më efikas të të gjitha strukturave të Partisë Socialiste, që nga sekretarët, Kryesia, por edhe organet e tjera. Braçe ka propozuar që duhen bërë efikase ato struktura që prej kohësh nuk funksionojnë, madje që nga zgjedhjet e 28 qershorit. Në fakt, dy nga deputetët e LMN-së rezultojnë të jenë edhe pjesë e sekretariatit, por ata nuk marrin pjesë në zhvillimet e partisë. Ndërkaq, deputeti Taulant Balla tregoi për mediat opsionin që ai do të mbështesë rreth tij.
“Unë mbështes opsionin e vazhdimit të protestave në shesh, ku shqiptarët të kenë mundësi të kuptojnë se kjo qeveri u ka vjedhur gjithçka dhe nuk ka se çfarë t’u ofrojë më, prandaj duhet të largohet”, tha Balla. Sipas tij, Asambleja do të jetë e vendosur në vazhdimësinë e aksionit opozitar, për të rrëzuar qeverinë e mashtrimit elektoral.
#