Ministri Olldashi: Punimet e ndërprera, për shkak të reshjeve dhe ujit në rrugë
Komuniteti i banorëve dhe bizneseve, si dhe drejtuesit e automjeteve, duhet të presin tharjen e ujit në gropat e thella të rrugës së Shkozetit që punimet në të të mund të rifillojnë. Deklarimi është bërë nga ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, i cili tha se bllokimi i punimeve nuk ka lidhje me bllokim fondesh, por me stinën e gjatë të reshjeve. Ndërkaq rruga është bërë plotësisht e pakalueshme në pjesën e rreth-rrotullimit ku gropat, siç ka pranuar dhe vetë kreu i Dikasterit të Punëve Publike, arrijnë deri në 80 centimetra, po firma zbatuese e projektit nuk punon as përgjatë pjesës tjetër të rrugës, ndonëse shirat kanë reshtur. Rruga, një nga akset më të rëndësishme në dalje të Durrësit, është shndërruar në një gangrenë të vërtetë, që çdo ditë e më shumë amortizon automjetet e tyre dhe krijon kosto të paparashikuara për drejtuesit e mjeteve dhe bizneset, përveç vështirësive të mëdha në qarkullim. Problemet në qarkullim janë jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët, banorët e zonës. Banorët e Shkozetit ndërkaq nuk e shohin si zgjidhje këtë arsyetim, pasi dhe kur nuk ka reshje, te rreth-rrotullimi ka gjithnjë ujë dhe për shkak të faktorëve të tjerë, që lidhen me çarjen e tubave a veprimtarinë e ndonjë subjekti përgjatë rrugës.
#