E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i ri, ministri Pango “rremben” licencat e botimeve

Petrika GROSI
Pas kalimit të projektligjit për procedurat dhe kriteret e licencimit për ushtrimin e veprimtarisë botuese, vjen dhe reagimi i botuesve nëpërmjet kryetarit të Shoqatës, Fatmir Toçi.
“Ne nuk jemi pyetur dhe më vjen keq që qeveria vepron në mënyrë të tillë për çështje kaq delikate”, – është shprehur ai për gazetën “Albania”. Toçi vijon më tej: “Në një mbledhje të Këshillit Kombëtar të Librit dhe Leximit, ku unë jam anëtar, është lënë që do të diskutohej më tej mbi projektligjin, pasi ne botuesit kemi pasur vërejtje për një frymë centralizuese të tij”. Sipas Toçit, projektligji paraqet probleme shumë të mëdha, sidomos me frymën centralizueze dhe kontrolluese të botimeve. “Më duket i nxituar si veprim, duke nisur që nga licencimi në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve. Është një hap i gabuar për një shoqëri të hapur. Kjo procedurë bëhet fare mirë nga Drejtoria e Tatimeve. Ministri është post politik, ndërsa procesi i botimit, i shkrimit, i fjalës është proces publik që i takon gjithsecilit. Pango do të kontrollojë kështu komplet botuesit. Në një moment, ministri thotë nuk ta jap licencën dhe ec e gjeji arsyet. Më e çuditshmja është se një arritje e madhe e PD-së kur erdhi në pushtet ishte liberalizimi, ndërsa sot po ndodh krejt e kundërta”, - tha Toçi. Përsa i përket projektligjit në fjalë, sipas MTKRS-së, ai ka pasur për qëllim përcaktimin e rregullave procedurale, kushteve dhe kritereve që duhet të ndiqen e plotësohen nga persona ose subjekte për t’u licencuar në ushtrimin e aktivitetit botues, me qëllim që produkti intelektual i materializuar si libër të jetë i mbrojtur dhe konformë kërkesave të ligjit. Pavarësisht shqetësimit të botuesve për centralizimin e pushtetit dhe kërkesës së tyre me ngulm që të mos licencohen nga ministria, kjo nuk është marrë parasysh në projektligjin e miratuar. Pika 4 e procedurave të licencimit të veprimtarisë botuese thotë: “Ministri, me urdhër të veçantë, miraton licencën që i njeh subjektit të drejtën e ushtrimit të veprimtarisë botuese, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë”. Më tej, pika 5 thotë: “Procesi i licencimit duhet të përfundojë brenda 30 ditëve pune nga data e dorëzimit zyrtar të formularit të vetëdeklarimit. Kur kalon ky afat dhe subjekti nuk ka marrë njoftim me shkrim, për miratimin ose jo të licencës, subjektit i lind e drejta t’i drejtohet gjykatës”. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë ka deklaruar gjithashtu se pasi të jetë njohur më në detaje me projektligjin, do të reagojë sërish ndoshta me një konferencë për mediat.

6 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›