Romancat ruse vijnë në Akademinë e Arteve
Në aktivitetet kulturore të tij Klasik ka sjellë në skenat shqiptare emra të talentuar artistësh, të cilët janë pëlqyer dhe duartrokitur nga publiku. I tillë ishte dhe koncerti i radhës në skenën e Akademisë së Arteve, ku u performuan romancat ruse, me protagoniste pianisten Klejda Tare dhe këngëtarja ruse Olga Mitrofanova. Pianistja është aktivizuar në festivale të shumta si Vjeshta e Tiranës, Tirana Music Festival, Edicioni VII i Çesk Zadeja Festival, në të cilët ka interpretuar një repertor nga klasikët deri tek bashkëkohorët si dhe ka sjellë për herë të parë vepra të autorëve shqiptarë.
Në një prononcim dhënë për gazetën ajo tregon se: Ky është koncerti im i parë me Olgën dhe besoj se është gjithashtu edhe koncerti i parë me romanca ruse që zhvillohet në Shqipëri. Ndihem mirë që ai u mirëprit dhe dua të them se po ky koncert, me të njëjtin program do të zhvillohet në Durrës, në sallën e koncerteve pranë shkollës Jan Kukuzeli. Më tej duke folur mbi koncertin pianistja tregon se romancat ruse sjellin një ndjesi të veçantë në skenë. Besoj se ishte një koncert mjaft interesant për vetë faktin se romancat ruse i sjellin kujtdo që i dëgjon një ndjesi dhe emocione tepër të veçanta. Pra, ajo që dua të them është se ato janë për një publik më të gjerë dhe pëlqehen më shumë krahasuar me muzikën tradicionale klasike, e cila ka një publik më të zgjedhur, theksoi ndër të tjera pianistja ruse. Por ajo merr pjesë dhe në Stinën Koncertore që po zhvillohet në Akademinë e Arteve për të cilin tregon se: Aktiviteti im koncertor sigurisht që është i larmishëm dhe angazhimet e mia nëpër festivale të ndryshme janë të shumta. Konkretisht koncerti recital i fundit ka qenë në datën 6 të këtij muaji, ditën e hënë, në skenën e A.A.B, në të cilin kam interpretuar tre vepra, dy nga të cilat kanë qenë për herë të parë në Shqipëri, ajo e Richard Strauss dhe e Cesar Franck. PInistja Trae tregon se ky ishte koncerti i parë, në kuadër të atij aktiviteti, pra të Sezonit Koncertor Ndërkombëtar të Muzikës, që tashmë është kthyer në traditë dhe që zhvillohet nën emrin e Klasik. Ky është bërë një aktivitet traditë tashmë në vendin tonë dhe mendoj se është një edicion shumë i vlefshëm për të gjithë publikun shqiptar. E them këtë pasi se është një mundësi shumë e mirë për të dëgjuar instrumentistë mjaft të talentuar, si shqiptarë ashtu edhe të huaj me famë botërore. Por, jo vetëm publiku por edhe artistët shqiptarë kanë se çfarë të marrin nga kjo kulturë që ata sjellin. Madje dua të përmend këtu edhe faktin se këta artistë kanë organizuar edhe master-klase, të cilat janë të vlefshme për studentët e Akademisë së Arteve, tregon më tej pianistja Tare. Sezoni koncertor Klasik nëe vijim të koncerteve të tij nesër do të sjellë në skenën e Akademisë së Arteve në Tiranë një koncert muzikor me dy instrumentistët shqiptar Silvana Skënderi dhe Rezart Kapetani. Nën tingujt e pianos dhe violinës do të interpretohet një program me pjesë si Souvenir d`un lieu cher nga Çajkovski, Sonata për violinë dhe piano nga Poulenc, Le grand Tango nga Piazzolla, Fantasie brillante nga Jeno Hubay, etj. Instrumentistët e ftuar përfaqësojnë përkatësisht Shqipërinë dhe Spanjën. Sezoni i koncerteve Klasik është vazhdim i sezonit Allegreto Albania dhe vjen në Shqipëri nën menaxhimin e Institutit Italian të Kulturës, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe disa ambasadave të huaja në Shqipëri.