Zona e Kodër Kamzës, prej shumë vitesh pa asnjë gjimnaz
Banorët e Kodër Kamzës (Institut), vetë 7 kilometra larg Tiranë, prej shumë vitesh vuajnë mungesën e një shkolle të mesme, e cila do të ishte shumë e domosdoshme për numrin e banorëve që ka kjo zonë. Fëmijëve të kësaj zone, pasi mbarojnë arsimin bazë, u është mohuar e drejta për të ndjekur arsimin e mesëm në Institut, kështu ata janë të detyruar të shkojnë në Kamëz ose në Laprakë, në mënyrë që të vazhdojnë gjimnazin.
Prindër dhe fëmijë ankohen për mungesën e një shkolle të mesme, e cila do të lehtësonte shumë mundime fizike dhe shpenzime ekonomike me afërsinë e saj me këto banorë. Kjo është bërë shkak edhe për braktisjen e gjimnazin nga shumë të rinj e të reja ngaqë kanë qenë të pamundur për të udhëtua disa kilometra në ndjekjen e arsimit bazë, si për kohën, ashtu edhe për koston e udhëtimit. Jo vetëm unë, por me mijëra banorë të kësaj zone, vuajmë mungesën e një shkolle të mesme, në mënyrë që fëmijët tanë të mos shkojnë në Tiranë apo në Kamëz për të kryer gjimnazin. Numri i nxënësve i kalon disa herë shifrat për të ndërtuar një shkollë të mesme. Situata bëhet më e vështira gjatë stinës së dimrit, sepse jemi në merak për fëmijët tonë, u shpreh për gazetën Sot, Afërdita Arriku. Ndërkaq, qeveria dhe bashkia flasin për pajisjen e shkollave të mesme me biblioteka dhe internet, nga ana tjetër mijëra qytetarë pjesë e kryeqytetit, prej 2 dekadash ëndërrojnë dhe kërkojnë ndërtimin e një shkolle të mesme. Në Kodër Kamëz, përveç sistemit bazë të arsimit, ekzistojnë të gjitha nivelet e shkollimin që nga ai parashkollorë deri te sistemi universitarë. Megjithatë, kjo zonë ka nevojë urgjentë për një shkollë të mesme, pasi jo të gjithë familjet e Kodër Kamzës i kanë mundësi financiare për ti çua fëmijët e tyre në shkolla private.