Romela Begaj, 27 gram i heqin titullin europian

Gjyqtarët i hoqën të drejtën peshngritëses shqiptare Romela Begaj të shpallej Kampione Europe, por falë një gare perfekte ajo arriti të shpallet nën/kampione në dy garësh dhe Kampione Europe në stilin e shkëputjes.
Në stilin e shkëputjes 26-vjeçarja ngriti 102 kg, 4 kg më shumë se peshngritësja nga Azerbajxhani Boyanka Kostova e cila u rendit e dyta.
Në provën e parë në stilin e shtytjes, Romela Begaj ngriti 113 kg duke treguar se ajo ishte një nga pretendentet kryesore për këtë peshë. Në provën e dytë ajo ngriti 116 kg, por disa minuta më vonë gjyqtarët e quajtën këtë provë si të pavlefshme. Sipas tyre peshngritësja shqiptare bëri një faull teknik, duke bërë lëkundje gjatë mbajtjes së shtangës në gjoks, gjë e ndaluar kjo sipas rregullave në këtë sport.
Edhe pse dështoi në provën e tretë me 118 kg, në dygarësh 26-vjeçarja shqiptare ngriti 215 kg, po aq sa kampionia Kostova e cila mori medaljen e artë falë peshës trupore me të vogël se shqiptarja.
Prej më shumë se 2 muajsh Romela Begaj zhvillonte një stërvitje intensive me ish-kampionin e botës, Luan Shabani sot trajner i kombëtares greke.