Romeo Leka, shtrim në spitalin e burgjeve para ekspertizës
TIRANE – Romeo Leka, i akuzuar për grabitjen me armë të një banke dhe rrëmbimin e mbajtjen peng të një vajze në kryeqytet, do të shtrohet në spitalin e burgjeve para kryerjes së ekspertizës psikike mbi gjendjen mendore të tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda e cila po heton dosjen penale ndaj 25-vjeçarit Romeo Leka, i ka njoftuar avokatit mbrojtës Ferdinand Ndoja, ditën e premte, vendimin për kryerjen e akt-ekspertimit mjekësor mbi gjendjen mendore të personit të pandehur. Sipas vendimit, nga verifikimi i deritanishëm i gjendjes mendore të 25-vjeçarit të akuzuar për dy tentativa grabitje me armë, për vjedhjen me armë të bankës, rrëmbimin dhe mbajtjen peng të studentes Lori Hatellari dhe armëmbajtje pa leje, gjendja paraqitet komplekse dhe sipas specialistëve analizimi i saj nuk mund të bëhet në kushte ambulatore. Kjo sipas grupit të hetimit, do të thotë se Romeo Leka do të shtrohet në spitalin e burgjeve ku do të mbahet për disa kohë derisa mjekët të verifikojnë plotësisht gjendjen mendore të tij për të dalë në përfundimin nëse i pandehuri është i përgjegjshëm për veprimet që kryen. Lajmi u konfirmua nga burime të Prokurorisë, të cilat thanë se nga dy seancat e marrjes së deklarimeve por edhe nga sjella e Romeo Lekës gjatë gjyqit për masën e sigurisë tek Krimet e Rënda, janë vënë re shenja të dukshme çrregullimi mendor tek i riu. Fillimisht gjatë dhënies së deklarimeve mbi grabitjen me armë 30 milionë lekëve të vjetra në bankë, Romeo Leka deklaronte se “Zoti i njihte veprat e tij të mëdha” ndërkohë që pyetej për fakte krejt të tjera. Po kështu më vonë, në seancën e dytë të marrjes së deklarimeve, 25-vjeçari ka kërkuar që policia t’i kthente paratë që ai kishte grabitur në bankë, duke thënë se “nuk ia kam marrë njeriu, është zotësia ime që i mora në bankë, duhet të mi ktheni”. Shfaqjet e Romeo Lekës vijuan më tej në prani të medias në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë, ku 25-vjeçari fliste herë shqip e herë anglisht duke i kërkuar gjykatës të zhvillonte shpejt seancën pasi do të largohej se kishte dhimbje koke. Pas gjithë këtyre sjelljeve të Romeo Lekës, Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda vendosën kryerjen e një ekspektimi mendor ndaj të riut. Ky ekspertim sipas mjekëve të burgut ku mbahet 25-vjeçari nuk mund të bëhet në kushte ambulatore ndaj është e nevojshme që i pandehuri të shtrohet në spital për një kohë të caktuar deri në formulimin e raportit nga komisioni mjekësor. tr.so