Apeli i Krimeve të Rënda tri ankesa gjatë 2009-ës
TIRANE - Në raportin vjetor të Avokatit të Popullit pohohet se në këtë institucion gjatë vitit 2009 kanë mbërritur vetëm tre ankesa ndaj Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda. Ankesa e parë është bërë nga qytetari S.E. i dënuar në Burgun e Fushë- Krujës, që ankohej ndaj vendimit të Faktit dhe Apelit, me të cilin ai ishte dënuar me 11 vjet burgim, ndërsa gruaja e tij ishte dënuar si bashkëpunëtore në krim me 10 vjet burgim. Po kështu qytetari P.Ll. nga Mirdita ankohej ndaj vendimit të Apelit për Krime të Rënda, me të cilin ai ishte dënuar me 9 vjet burgim duke pretenduar se vendimi është i padrejtë dhe i pabazuar në prova dhe në ligj. “Ankuesit janë sqaruar se vendimet gjyqësore prishen ose ndryshohen mbi bazën e ankimit dhe të rekursit në gjykatat më të larta dhe se asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësojë ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore për sa kohë ato nuk janë ndryshuar ose prishur nga një Gjykatë më e lartë”, u ka pohuar dy ankuesve Avokati i Popullit. Ndërkohë bëhet e ditur qytetarja Z.B. nga Korça, ka paraqitur ankesë ndaj vendimit të Apelit për Krimet e Rënda, me të cilin, sipas saj është gjykuar e dënuar padrejtësisht djali i saj. Por nga shqyrtimi i ankesës së saj ka rezultuar se djali i ankueses ka ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë, e cila nuk e ka shqyrtuar akoma. “Për shkeljet dhe pretendimet e saj ndaj vendimeve gjyqësore ankuesja është sqaruar mbi rrugën ligjore të shqyrtimit dhe të prishjes së vendimit gjyqësor nga një Gjykatë më e lartë, me ndihmën e një avokati privat”, përfundon raporti i Avokatit të Popullit për Apelin e Krimeve të Rënda. f.m.