E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët, AP: Shteti po hesht. Firma e ndërtimit: E vërteta e 'dëbimit', Delijorgji s’është pronari

"TIRANE - Ndaj 37 familjeve rome që banojnë në ambientet e ish-Dekorit në Rrugën e Kavajës janë shtuar rastet e presioneve për t’i larguar nga strehimet e tyre. Mbrëmjen e djeshme, disa familje janë dëbuar nga barakat e tyre dhe tashmë kanë mbetur në qiell të hapur.

Institucioni i Avokatit të Popullit vijon të qëndrojë në krah të romëve, duke bërë apel për gjetjen e një zgjidhjeje për strehimin e tyre

Në një deklaratë për mediat, Avokati i Popullit Igli Totozani i bëri sërish thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës që të marrin masa urgjente për sistemimin e familjeve rome.

“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve respektive për strehim dhe ndihmë të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre. Të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekse për këto familje si dhe të marrin masat e duhura për të siguruar pa vonesë strehim të pranueshëm në respekt të standardeve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor” – u shpreh Totozani.

Avokati i Popullit i ka kujtuar qeverisë shqiptare që të përmbushë kriterin e 11 për marrjen e statusit kandidat, i cili ka të bëjë pikërisht me detyrimin e saj për të ndërmarrë hapa konkretë në forcimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos të grave, fëmijëve dhe romëve, si dhe në zbatimin e efektshëm të politikave anti-diskriminim.

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Avokatit të Popullit dhe ndërkombëtarëve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e romëve, mbrëmjen e djeshme, firma ndërtuese largoi me forcë nga strehimet e tyre disa familje rome.

Pak ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i policisë, Hysni Burgaj ka dhënë një urdhër për pezullimin e vendimit për largimin e 37 familjeve rome nga kjo zonë.Në urdhrin e Burgajt shkruhet se: “Nuk do të lejojmë asnjë dëbim të familjeve rome. Firma ndërtuese nuk do lejohet të ndërmarrë asnjë veprim pa u sqaruar situata, pa pasur titull ekzekutiv të Përmbarimit dhe leje mjedisore nga Bashkia”. 

Dëbimi i familjeve rome nga banesat e tyre të improvizuara në Tiranë ka nxitur sërish “Amnesty International” të mbajë ndezur çështjen e tyre dhe të tërheqë vëmendjen e pushtetarëve. “Amnesty” thekson sërish se as bashkia dhe as qeveria nuk po bëjnë asgjë në lidhje me strehimin e këtyre familjeve. 

REAGON KOMPANIA ‘PARK CONSTRUCTION ALBANIA SHPK’
Pas lajmeve se romët janë dëbuar nga baraket ku jetonin prej 20 vitesh tek Rruga e Kavajës ka reaguar kompania e ndërtimit ‘Park Construction Albania shpk’. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, kjo kompani sqaron pozicionin e saj në gjithë këtë ngjarje ndërsa thekson se komuniteti rom ka firmosur se bie dakort për cdo hap që ka kryer kompania në këtë territor.

Kompania “Park Construction Albania shpk, në lidhje me këtë çështje sjell disa pika ku sqaron:

1. Kompania është duke investuar ndërtimin e një objekti banimi, konform të gjitha rregullave që imponon legjislacioni shqiptar. Brenda këtij territori gjendeshin të vendosur në objekte portative banimi(shumica e të cilave konstruksion dërrase) disa dhjetëra familje rome.

2. Kompania ka kontaktuar nëpërmjet përfaqësuesve të saj anëtarët e këtij komuniteti duke i bërë të ditur planet e saj për zhvillimin e zonës dhe duke u kërkuar zhvendosjen.

3. Pas këtij komunikimi romët i janë drejtuar Avokatit të Popullit më datën 2 Korrik 2013 dhe i kanë kërkuar ndihmë.

4. Më datën 3 Korrik 2013, nëpërmjet një praktike të protokolluar, kompania i dërgoi Avokatit të Popullit dokumentacionin që përfshin: a) Procesverbal i dorëzimit të truallit nga shteti tek pronarët e tokës, i datës 07.07.2010. b)Kontratën e shit-blerjes së pasurisë së paluajtshme që ndodhej mbi këtë truall. C) Certifikatë pronësie që vërteton se toka është në emër të pronarëve të tokës. D) Prokurën e posaçme që pronarët e tokës i japin shoqërisë sonë që të merret me zhvillimin e zonës.

5. Pasi kryen dorëzimin e kësaj praktike, kompania nis komunikimin verbal me banorët, dhe në konsensus të plotë banorët bien dakord të nisin çmontimin e strukturave portative dhe zhvendosjen.

6. Më datën 7 Korrik 2013, 4 prej familjeve rome që jetonin në një kapanon që ishte në pronësi të pronarëve(mbuluar me strukturë hekuri) kontaktojnë përfaqësuesin e kompanisë dhe i kërkuan që hekurin e strukturës ta merrnin me vete që ta shisnin më pas. Kompania u tha që mund ta merrnin. Atëherë këto familje kërkuan dhe ndihmën e kompanisë për një eskavator që të ulte në shesh strukturën e hekurit që ata ta prisnin dhe ta transportonin më lehtë. Në momentin që mbërrin eskavatori dhe nis punën, vjen policia e cila ishte informuar në mënyrë të gënjeshtërt se po prisheshin godinat me eskavator ndërsa familjet rome ishin brenda godinës. Policia ka bërë hetim direkt në terren dhe ka pyetur këto 4 familje të cilat mohuan kategorikisht duke siguruar policinë se ishin tërësisht dakord me atë që po ndodhte. Këto deklarime anëtarët e 4 familjeve i kanë dhënë dhe në polici me shkrim në prani të psikologut.

7. Kompania disponon deklaratat e nënshkruara me vullnet të lirë të të gjitha familjeve që pranojnë të zhvendosen. Kompania me shpenzimet e saj ka marrë përsipër koston e zhvendosjes së tyre duke i paguar. Të gjitha familjet kanë firmosur list-pagesën ku çdo person ka firmosur duke u identifikuar dhe me nr. e kartës së identitetit. 

"Kompania, ka vendosur që sa më shpejtë të organizojë një tryezë në bashkëpunim edhe me kompani të tjera që operojnë në sektorin e ndërtimit, për të parë mundësitë e gjetjes së mënyrave dhe skemave për të kontribuar në lehtësimin e strehimit të shtresave në nevojë. Kur të organizohet kjo tryezë, sigurojmë se do të ftojmë dhe Avokatin e Popullit, përfaqësues të pushtetit lokal, por dhe përfaqësues të OSBE-së, nga të cilët presim mendime të çmuara", thekson me tej kjo kompani ndertimi.

Kompania me pas akuzon Avokatin e Popullit se ka manipuluar opinionin me deklaratat e veta.
"Avokati I Popullit, gjatë gjithë kohës ka qenë në dijeni të plotë të këtyre ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur siç i shpjegon kjo deklaratë, por në mënyrë të qëllimshme ka manipuluar me deklaratat e veta opinionin publik. Gjithashtu media të caktuara, kanë manipuluar, abuzuar dhe keqinformuar opinionin publik me raportime të cilat nuk pasqyrojnë realitetin. Sfidojmë dhe ftojmë të gjitha mediat, të verifikojnë pronësinë mbi tokën dhe godinat, të verfikojnë deklaratat e dhëna në polici nga komuniteti rom në praninë e psikologëve në lidhje me këtë çështje për të parë dhe pasqyruar atë që realisht ka ndodhur". 

Po keshtu kompania sqaron dhe mbi emrin e Mihal Delijorgjit te perfshire ne kete ceshtje.
"Kompania “Park Construction Albania” dëshiron të sqarojë, se emri i përfolur i Mihal Delijorgjit në media të caktuara është bërë në mënyrë abuzive, jashtë kontekstit real dhe denigruese. Mihal Delijorgji është një i punësuar pranë shoqërisë “Parc Construction Albania” dhe nuk ka asnjë tagër pronësie as mbi truallin as mbi godinat dhe as mbi kompaninë investuese. Aktualisht kompania ka administruar të gjitha kronikat televizive dhe botimet në shtypin e shkruar dhe është duke konsultuar zyrën e vetë juridike për të marrë masa ligjore ndaj medieve që manipuluan opinionin publik duke denigruar imazhin e kompanisë dhe të Mihal Delijorgjit si i punësuar i kompanisë sonë".

(d.b/er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Shiu rëndoi situatën, 2 fëmijë romë dërgohen në spital VIDEO: Totozani: Të merren masa për strehimin e romëve, asnjë institucion nuk po vepron

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›