Transporti dhe trafiku i drogës, përplas gjykatën me prokurorinë
Një nga problemet gjatë “përballjes” midis gjykatës dhe prokurorisë është ndryshimi i vendimeve apo kualifikimi i veprave penale. Prokuroria shpeshherë është “rrëzuar” në gjykatë në lidhje me dosjet e trafikut të drogës dhe të shpërndarjes së tij. Me gjithë luftën ndaj këtij fenomeni, ku së fundi është mobilizuar e gjithë Policia e Shtetit për të parandaluar trafikun e prodhimit të brendshëm të hashashit, prokuroria e ka të pamundur t’u japë “dënimin” e merituar trafikantëve. Kjo ndodh sepse shpeshherë gjykata i ndryshon vendimet, duke kualifikuar veprat penale nga “trafik të lëndëve narkotike” në “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Në shumë raste trafikantët kanë dalë “pa u lagur” dhe janë dënuar në minimumin që parashikohet në Kodin Penal, ndërsa gjykatat dhe prokuroritë e rretheve nuk i referojnë kapjet e sasive të mëdha të hashashit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Kjo prokurori ka intensifikuar luftën ndaj trafikimit të narkotikëve në përgjithësi dhe në analizat vjetore është vënë theksi te ndryshimet e vendimeve të gjykatës. Në raportet përkatëse të cilat i janë referuar edhe zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm janë analizuar të gjitha vendimet që janë prishur për këtë vepër penale. Si rrjedhojë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka marrë një pjesë të mirë të këtyre dosjeve.
Ligji“Gjykatat e të gjitha niveleve kanë prishur disa dosje penale me të pandehur që akuzoheshin për ‘trafik të narkotikëve” të parashikuar nga neni 283/a. Sasitë e lëndëve narkotiket të kapura gjatë transportit nga njëri qytet në tjetrin janë konsideruar nga gjykata si prodhim dhe shitje të kësaj lënde dhe jo si trafik”, thanë burimet nga akuza qendrore, të cilat saktësojnë se të gjitha vendimet që janë prishur nga gjykata janë analizuar dhe ka rezultuar se gjykata e interpreton ligjin ndryshe nga prokuroria, duke sjellë edhe lirimin të disa “trafikantëve”. Prokuroria thotë se termi “trafikim” interpretohet ndryshe nga gjykatat, të cilat nuk e quajnë si trafikim dërgimin e një sasie droge nga njëri vend në tjetrin brenda territorit të Shqipërisë. Prokuroria pretendon se trafikimi i narkotikëve nuk është vetëm jashtë territorit, por edhe brenda tij. Akuza qendrore mendon se kjo dispozitë e Kodit Penal duhet të specifikohet, pra të ndryshohet, dhe të parashikohen të gjitha rastet e trafikut. Burimet nga akuza deklarojnë se janë analizuar disa dosje të tilla. Në një rast, një person u arrestua me disa kilogramë heroinë në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë. Në pranga ranë disa persona përfshirë edhe të pandehur VIP. Dosja ishte “kopsitur” nga Krimet e Rënda dhe gjatë vlerësimit të masave të sigurisë akuza që rëndonte ndaj të pandehurve u ndryshua nga trafik në prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe si rrjedhojë edhe dënimi i tyre përfundimtar mund të jetë disa herë më i vogël. Dosja u transferua në akuzën e Lushnjës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se të tilla dosje janë me dhjetëra në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila kohët e fundit po e fokuson punën në parandalimin e këtij trafiku shqetësues për shtetin shqiptar, pasi shpeshherë është bërë objekt kritikash nga ndërkombëtarët si rrugë e kalimit të trafiqeve të paligjshme.
DosjetAktualisht, shumica e dosjeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda është për trafik narkotikësh. Dhjetëra raste janë dokumentuar në bashkëpunim me Prokurorinë e Antimafies Italiane, madje gjatë operacioneve të përbashkëta janë arrestuar dhjetëra persona në disa shtete. Ndërkohë, Krimet e Rënda kanë marrë “në dorë” edhe disa dosje nga prokuroritë e rretheve, të cilat kanë kapur në flagrancë disa gomone gati për të trafikuar jashtë shtetit lëndë narkotike. Në këto raste, hetimet janë më të plota, pasi destinacioni i lëndëve narkotike është jashtë territorit të Shqipërisë dhe në këto raste gjykata nuk mund t’i cilësojë si “shpërndarje dhe shitje”.
#