Romney: SHBA duhet të ndalë Iranin

Kandidati presidencial në Shtetet e Bashkuara, republikani Mitt Romney, tha se vendi i tij e ka përgjegjësi morale ndalimin e Iranit, për të pamundësuar zhvillimin e armëve bërthamore nga regjimi në Teheran.
Romney, duke folur gjatë vizitës së tij në Jerusalem, e përshkroi Iranin si vendin më destabilizues në botë.
Ai tha se SHBA e kupton të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe se është e drejtë që Shtetet e Bashkuar të qëndrojnë në një anë me Izraelin.
Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Barack Obama është përqendruar në përdorimin e sanksioneve për të kufizuar ambiciet bërthamore të Iranit.
Në fjalën e tij në Jerusalem, Romney tha se krerët e Iranit po “testojnë mbrojtjen tonë morale”.
Ai shtoi gjithashtu se Irani ishte kombi më destabilizues në botë dhe se SHBA kishte “një detyrë solemne dhe një përgjegjësi morale për t’u mohuar liderëve të Iranit mjetet për të arritur në synimet e tyre keqdashëse”.