E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romney kritikon politiken e jashtme te Obames

Kandidati republikan për president, Mitt Romney kritikon politikën e jashtme të presidentit Barak Obama duke thënë se presidenti nuk po i kundërvihet Kinës, Rusisë dhe Iranit. Zoti Romney tha se ai nuk do të hiqte dorë nga roli udhëheqës i Amerikës në botë.
Kandidati republikan për president, Mitt Romney foli për politikën tregtare të Kinës në një konferencë vjetore të veteranëve amerikanë. Këto ishin komentet e tij të para për politikën e jashtme amerikane si kandidati republikan për president.
"Në tregtinë me Amerikën, Kina lejon shkelje flagrante të patentave dhe të të drejtave të autorit, pengon bizneset amerikane të konkurojnë në tregun e saj dhe manipulon monedhën për avantazhe të padrejta. Është në interesin tonë të dyanshëm që Kina të jetë një partnere për një botë të qëndrueshme dhe të sigurt dhe ne e mirëpresim pjesëmarrjen e saj në tregti. Por mashtrimeve duhet t’u jepet fund. Presidenti nuk e ka bërë dhe nuk do ta bëjë këtë. Por unë do ta bëj. "
Kandidati republikan tha se ai nuk do të heqë dorë nga roli udhëheqës i Amerikës në botë. Ai bëri thirrje për "qartësi të qëllimeve dhe vendosmëri në fuqinë e Amerkës”. Ai kritikoi ashpër administratën Obama për shkurtimet e propozuara të shpenzimeve ushtarake, dhe bëri thirrje për një hetim të pavarur lidhur me akuzat se Shtëpia e Bardhë ka nxjerrë informacione sekrete për përfitime politike.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›