E Diel, 1 Nëntor 2026

Romni: Palestinezët duan ta eleminojnë Izraelin

Udhëheqësi i garës në mesin e republikanëve u nxit të bëjë këtë deklaratë nga një pyetje e një amrikano-palestinezi republikan, teksa ndodhej në një debat në Florida, mbrëmjen e së enjtes.

“Izraelitët do të ishin të lumtur të kishin një zgjidhje me dy shtete. Janë palestinezët ata që nuk duan një zgjidhje me dy shtete; ata duan ta eliminojnë shtetin e Izraelit”, tha Romni i cituar nga version online i të përditshmes izraelite “Haaretz”.

Pyetjes se si do të ndihmonte një administratë republikane për të sjellë paqe në Lindjen e Mesme kur shumica e kandidatëve mezi e njohin ekzistencën e Palestinës dhe palestinezëve, Romni iu përgjigj duke thënë se “unë mendoj se mënyra më e mirë për të pasur paqe në Lindjen e Mesme nuk është të lëkundemi për të qetësuar, por është që të themi se ne jemi me mikun tonë Izraelin”.

Romni sulmoi politikën e Presidentit Obama duke thënë se “ky President shkoi para Kombeve të Bashkuara dhe fshikulloi Izraelin për ndërtimin e vendbanimeve. Ai nuk tha asgjë për mijëra raketat që hidhen në Izrael nga Rripi i Gazës”.

Kjo ishte një ndër të paktat pika ku, edhe kandidati tjetër Newt Gingrich u dakordua me Mit Romnin.
Atij fillimisht iu kërkua të shpjegojë komentet e tij ku e ka quajtur popullin palestinez “popull të shpikur”. “Ai popull është një shpikje e fundviteve 1970”, tha Gingrich duke shpjeguar se para kësaj “ata ishin arabë”.

Ai u zotua se me t’u bërë President Ii SHBA-ve (nëse kjo ndodh) “unë do të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv drejtuar Departamentit të Shtetit ku do të kërkohet lëvizja e ambasadës amerikane në Izrael nga Tel Aviv-i në Jerusalem për të dhënë sinjalin se ne jemi me Izraelin”, tha Gingrich.

Ndërkohë menjëherë pas këtyre deklaratave ka reaguar edhe Këshilli Demokrat Kombëtar i Hebrenjve, i cili përgënjeshtroi deklaratat e Romnit, sipas të cilave Obama nuk e kishte përmendur në OKB gjuajtjen e territorit izraelit me raketa./Start/F. P/

                                                                                             2012-01-27 13:42
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›