E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, shatërvani skenë akrobacie për fëmijët romë

Fëmijët duke luajtur në shatërvanin pa ujë para Bashkisë së Durrësit

Shatërvani përballë Bashkisë së Durrësit, i cili rreth 18 muaj më parë përplasi ashpër këtë institucion me qytetarët e saj, është harruar nga të dyja palët dhe tashmë shërben për argëtimin e fëmijëve të komunitetit rom.
Këta të fundit, sikurse të ishin akrobatë të vërtetë, dhurojnë spektakël për çdo kalimtar që përshkon rrugën në sheshin Liria.
Qytetarë të të gjitha moshave nuk mund ti rezistojnë tundimit për të ndaluar disa minuta dhe të vështrojnë fëmijët, të cilët bëjnë numra të ndryshëm në majë të shatërvanit, pa iu dridhur qerpiku fare. Madje, akrobatët e vegjël bëhen edhe objekt bisede për këdo që kalon aty, pse jo edhe për punonjësit e Bashkisë që i vështrojnë nga dritaret e zyrave. Një grup prej rreth 70-80 turistësh të huaj, që erdhën këtë javë për të vizituar qytetin bregdetar, i cili ka mbi vete një trashëgimi kulturore dhe historike mbi 2000-vjeçare, teksa po kalonin në krahun tjetër të sheshit Liria, pa iu afruar mirë shatërvanit, shkrepën foto pa pushim. Grupi i vizitorëve, i cili më parë kishte vizituar Mazoleumin e Dëshmorëve dhe ishte nisur për tek Amfiteatri, qëndruan për disa minuta duke i parë të habitur fëmijët, ndërsa këmbenin aparatet fotografike dhe pozonin me radhë pranë shatërvanit, që në ato momente nuk kishte as ujë. Ata shprehnin habi sesi fëmijët kishin mundur të hipnin deri te maja e shatërvanit, rreth 5 metra lartësi, si dhe për shkak të vetë konstruktit që ka ai. Në çdo moment është i pranishëm rreziku për jetën, pasi një humbje ekuilibri do të ishte fatale për gjithsecilin që mund të jetë atje lart. Ky shatërvan në qendër të qytetit të Durrësit është ndërtuar në vitin 1928. Ndërsa rreth 18 muaj më parë u kthye në mollë sherri mes Bashkisë së qytetit dhe shoqatës Durrësi, e cila kërkon me këmbëngulje që të mos lëvizë nga vendi ku ndodhet prej vitesh.Kryebashkiaku Dako pohon se projekti rivitalizues i sheshit të qytetit ka si qëllim kryesor që ta kthejë sheshin nga vend transit për kalimin e njerëzve dhe mjeteve, në një shesh komunikimi mes qytetarëve, të cilët mund të vijnë dhe të rrinë në këtë vend të transformuar.

Shatervani, veper e kristo sotirit
Shatërvani ka qenë pjesë e ansamblit arkitekturor të qendrës së Durrësit, e konceptuar dhe e zbatuar nga arkitekti i madh durrsak Kristo Sotiri. Ai është edhe projektues i vetë Bashkisë, Maozoleumit të Dëshmorëve, si dhe vilës së Zogut në Kodër-Vilë.

Dy reagimet
Kryebashkiaku Dako:
Zhvendoja e shatërvanit ka si qëllim rivitalizimin e sheshit kryesor të qytetit dhe kthimin e tij në shesh komunikimi mes qytetarësh

Shoqata Durrësi:
Shatërvani është pjesë e historisë së Durrësit, ndërtuar që në vitin 1928. Ai është vepër e rrallë dhe si i tillë duhet të ruhet

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›