E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronald Moench, rektor i Universitetit të Prizrenit

Prishtinë, 26 gusht - Pas gati një vit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për themelimin e Universitetit të Prizrenit është emëruar rektori i këtij institucioni të arsimit të lartë. Rektor themelues do të jetë gjermani, Ronald Moench, i cili është profesor i së drejtës ndërkombëtare dhe ekspert i fushës për arsimin e lartë.
Prezantimin e rektorit të Universitetit të Prizrenit e kanë bërë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Enver Hoxhaj dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans-Dieter Steinbach.
Universiteti i Prizrenit kohë më parë ka shpallur konkursin për zgjedhjen e personelit akademik dhe atij administrativ/teknik të këtij universiteti, i cili këtë vit pranon studentët e parë.
Qeveria e Republikës së Kosovë gati një vit më parë vendosi që të themelojë edhe një universitet tjetër publik në Kosovë.
Në përbërje të Universitetit të Prizrenit, do të jenë Fakulteti Juridik, Ekonomik, i Edukimit, i Filologjisë, Fakulteti Filozofik dhe me mundësi që në të ardhmen të themelohet edhe Fakulteti i Kulturës Fizike dhe ai i Arteve.
Moench, sot, me rastin e prezantimit të tij si rektor i Universitetit të Prizrenit, pasi ka falënderuar  ministrin Hoxhaj për besimin tha se “ne do të punojmë shumë në këtë Universitet, në mënyrë që të arsyetojmë këtë besim. Jam lidhur shumë me ketë shtet, ngase kam përcjell të gjitha zhvillimet deri në pavarësimin e Kosovës nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare. Ne në Gjermani kemi hapur shishe të shampanjës, herën e parë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe e dyta për mendimin e GJND-së. Punë ime nuk do të përbëhet vetëm nga nacionaliteti, por të do të ketë edhe shumë emocione. Ky është një parakusht shumë i mirë për kënaqësi në punë. Unë bashkë me ministrin Hoxhaj kemi qenë në një konferencë të ngjashme para disa kohëve. Atëherë nuk e kam ditur se çfarë do të bëhem sot. Por, një gjë e kam ditur që Universiteti i Prizrenit është një vepër e madhe e këtij shteti dhe kjo punë meriton respektin më të madh dhe përkrahjen më të madhe që mund të jap një njeri. Nuk është e tepruar nëse them se kjo është një ditë historike për shtetin e ri të Kosovës. Do të ju them se çfarë do të bëjmë në Universitetin e Prizrenit gjatë viteve të ardhshme. Ne kemi një agjendë të mirëfilltë dhe të detajuar, e cila përmban të gjitha pikat e  nevojshme për themelimin dhe funksionalizimin e një Universiteti. Një pjesë e rëndësishme e kësaj agjende është vazhdimi i punëve në Universitet për pesë vjetët e ardhshme. Planifikim do ta bëjmë në bashkëpunim të ngushtë me MASHT dhe UP-në. Ne do të krijojmë edhe një bashkëpunim shumë të ngushtë me komunën e Prizrenit. Për një rektor që vjen nga Gjermania është e pritshme që të ndërtojë një Universitet me profil ndërkombëtar. Ky Universitet ka për detyrë që të krijojë një format të ri të bashkëpunimit ndërkombëtar, do të krijojmë një rrjet bashkëpunimi me Universitetet gjermane, zvicerane dhe angleze. Ne do tu mundësojmë  studentëve të dalluar që të vazhdojnë studimet e tyre në Universitete ndërkombëtare. Synimi është që të krijohen standarde evropiane të Universitetit. Jam shumë i lumtur se qysh në ditën e parë mund të them se pesë Universitete gjermane janë të gatshme të pranojnë një numër të madh të studentëve kosovar. Një rektor që është përplot optimizëm dhe që e din se mund të gjejë përkrahjen e plotë të një stafi administrativ që e pret aty. Përparësitë e një Universiteti qëndrojnë në koordinim të një ekipi të mirë dhe këtë tani më e kemi arritur”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›