Ferrari dominon në cirkuitin e Katalonjas
Kimi Raikonen ka qenë piloti më i shpejtë në provat e lira të Çmimit të Madh të Spanjës. Kampioni i botës është deklaruar i kënaqur nga paraqitja e tij dhe nga Ferrari. "Treguam se kemi një rritëm të mirë, tha piloti finlandez. Nuk kemi asnjë problem dhe mendoj se nesër (sot) në provat zyrtare do të ruajmë pozicionet aktuale". Më tej, Raikonen tha: "Shpresojmë që gjatë garës të mos kemi të njëjtat probleme që kemi ndeshur në të kaluarën. Gjithsesi, si në provat zyrtare ashtu edhe në garë duhet të qëndrojmë përpara". Optimist është shfaqur edhe Felipe Masa, që gjithsesi nuk ka qenë në një ditë të mirë. Piloti brazilian dukej i kënaqur pavarësisht disa daljeve nga pista në provat e pasdites: "Për mendimin tim arritëm një rezultat të kënaqshëm, pasi mendoj se jemi shumë konkurrues dhe ky është objektivi, shpjegoi Masa. Në fund të provave edhe mund ta kisha përmirësuar kohën time, por për shkak të trafikut që kishte në pistë nuk arrita që me gomat e reja të kryeja një xhiro të mirë. Makina po ecën në drejtimin e duhur". Në pjesën e parë të provave, të zhvilluara paradite, Masa kreu më pak xhiro: "U ktheva dhe prisha një gomë, e nuk ia vlente më që të vazhdoja të qëndroja në pistë me shumë dridhje. Kreva pak xhiro edhe sepse javën e kaluar kemi bërë testime në këtë cirkuit. Mendoj se do të jemi shumë konkurrues dhe shpresojmë të përsërisim paraqitjet e mira". Në garën e Spanjës, Ferrari duhet të ketë kujdes nga sulmet e MekLarenit dhe BMW Sauber, ku Hemilton dhe Kubika janë të gatshëm të shfrytëzojnë çdo gabim të rivalëve. Ndërkohë, në pjesën e dytë të provave të pasdites kanë "shpërthyer" edhe Piket Xhunjor dhe Alonso, që kanë shënuar respektivisht kohën e dytë dhe të tretë.