E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Ngërci politik pengoi integrimin. Raporti të shërbejë për bashkim

TIRANE-Ambasadori iKE-së në Tiranë, Ettore Sequi theksoi sot në një konferencë për shtyp se "Progresi apo ecuria përpara e Shqipërisë drejt BE-së është kushtëzuar nga ngërçi politik". Pak pasi u dorezoi dokumentin Presidences, Kryeministrise e selise se PS, Sequi sugjeroi se progres-raporti i dorëzuar sot Tiranës zyrtare duhet te jetë rruga udhëheqëse drejt integrimit, ndërsa kërkoi që ky proces të shihet si objektiv kombëtar.
“Pse nuk u pranua Shqipëria. Ngërci politik ka ngadalësuar proceset. Viti i kaluar ka shënuar mungesë të dialogut poliik konstruktiv në kuvend”, tha Sequi duke shtuar se pavarësisht përgjigjes negative, Komisioni Europian mbetet tepër i angazhuar për perspekivën Europiane të Shqipërisë.
“Por, janë kushtet dhe këto kushte janë të njëjta për të gjtiha vendet që aspirojnë në BE. Reformat që kanë të bëjnë me 12 prioritetet janë me rëndësi”.
Ambasadori i KE-së në Tiranë, Sequi tha sot se, "procesi i integrimit duhet të shihet si një objektiv kombëtar".

Sequi vuri në dukje se Shqipëria i ka kapacitetet për të plotësuar standardet për marrjen e statusit të vendit kandidat, por nevojitet bashkëpunim konstruktiv mes qeverisë dhe opozitës. Ambasadori kërkoi që progres-raporti të shihet si element bashkues dhe jo ndarës.

“Ne jemi të sigurt se Shqipëria i ka kapacitetet të firmosë standarte të larta për celjen e negociatave për anëtarësim. Kërkohet përgatitje rigoroze për disa fusha ku duhet të arrihet konsensusi. Më lejoni të them se raport- progresi është mjet i rëndësishëm për rrugën drejt BE. Jo vetëm që na krijoi një panomaë të vendit në gjendjen ku jemi, por në fakt tregon rrugën që duhet ecur përpara në rrugën drejt integrimit europian dhe në fakt raporti i progresit duhet parë si element bashkues dhe jo si element ndarës.

Sequi lexoi madje dhe pjese nga Progres Raporti.
Kriteret politike
Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kritereve politike të Kopenhagës. Qeveria e Shqipërisë ka bërë përpjekje për të ecur përpara në agjendën e integrimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht në përgatitjen e Planit të Veprimit për të trajtuar prioritetet kyçe të Bashkimit Evropian. Ky proces përfshin diskutimet me opozitën në Komisionin Parlamentar për Integrimin Evropian. Ka pasur disa përmirësime të kufizuara në Rregulloren e Kuvendit. Shqipëria ka miratuar strategjinë e reformës së gjyqësorit dhe një plan veprimi, që përbën një bazë të mirë në përpjekjet për reformë. Një vendim i Këshillit të Ministrave ka vendosur një qasje uniforme dhe standarde për krijimin e enteve publike. Lufta kundër krimit të organizuar ka ecur përpara, veçanërisht nëpërmjet bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar dhe vënies në zbatim të ligjit "anti-mafia" që përfshin edhe konfiskimin e pasurive kriminale. Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës dhe disa përmirësime në trajtimin e të burgosurve paraqesin përparim të rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut. Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe në nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Bashkimit Evropian.
Sidoqoftë, përpjekje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme duhet të bëhen për të zgjidhur mangësitë në fushën politike. Përsa i përket demokracisë dhe shtetit ligjor, ngërçi i vazhdueshëm politik dhe zhvillimet e mëtejshme konfliktuale kanë penguar zbatimin e reformave, ndërsa pjesë të rëndësishme të legjislacionit mbeten në pritje për miratim. Kjo klimë polarizimi ka ndikuar gjithashtu edhe zgjedhjet vendore të 8 majit. Pavarësisht një procesi relativisht të mirë ditën e zgjedhjeve dhe një procesi numërimi pozitiv në përgjithësi, zgjedhjet u karakterizuan nga mangësi dhe polemika, veçanërisht për sa i përket gjykimit të apelimeve post-zgjedhore për zgjedhjet vendore në Tiranë. Reforma zgjedhore ka ngecur. Hapa thelbësorë në reformën e administratës publike nuk janë përmbyllur dhe funksionimi i sistemit gjyqësor duhet të përmirësohet më tej. Përparimi në luftën kundër korrupsionit ka qenë i kufizuar. Ekzistojnë disa shqetësime përsa i përket presionit për të penguar pavarësinë e medias. Përparimi në miratimin dhe vënien në zbatim të strategjisë për reformë në çështjen e pronave dhe planit të veprimit ka qenë i kufizuar. Vënia në zbatim e mjeteve legjislative dhe politikave në fushën e të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së minoriteteve, përfshirë komunitetin rom, ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm.

Kriteret ekonomike
Ekonomia shqiptare ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe rritjen pozitive gjatë krizës globale dhe lidhur me pasojat e saj. Shqipëria ka bërë disa përparime drejt transformimit në një ekonomi tregu funksionale. Kapaciteti i saj për t'iu përshtatur presionit konkurrues dhe forcave të tregut brenda Bashkimit Evropian në një aspekt afatmesëm është në rrugën e duhur, në qoftë se Shqipëria do të ecë më tej në reformën strukturore, duke përfshirë forcimin e sistemit ligjor dhe forcimin e kapitalit fizik dhe njerëzor.
Edhe pse kërkesat e tregut të brendshëm vendase nuk ka patur përparim, eksportet e fuqishme kanë çuar në një rritje ekonomike prej 3,8% në 2010. Inflacioni ka mbetur i qëndrueshëm në sajë të politikës monetare të shëndoshë të Shqipërisë. Sidoqoftë ngërçi politik pengoi kapacitetin e qeverisë për të vënë në zbatim reformat e nevojshme strukturore. Mangësitë përsa i përket të drejtës së pronës, ekzekutimit të kontratave dhe shtetit ligjor, së bashku me infrastrukturën dhe kapitalin njerëzor të dobët, si dhe shkalla e lartë e ekonomisë informale vazhduan të pengojnë zhvillimin ekonomik. Borxhi publik relativisht i lartë dhe niveli i lartë i kredive të këqija në sektorin bankar vazhdojnë të mbeten çështje që përbëjnë shqetësim.
Legjislacioni i BE-së
Shqipëria ka bërë disa përparime në përmirësimin e aftësisë së saj për të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit duke përafruar legjislacionin dhe standardet e saj me ato të Bashkimit Evropian, në veçanti në fushat e lëvizjes së lirë të mallrave, në politikat e ndërmarrjeve dhe industrisë, drejtësisë, lirisë dhe sigurisë dhe kontrollit financiar.
Sidoqoftë, përpjekje më të mëdha janë të nevojshme sepse ka patur përparim të kufizuar në fusha të tilla si lëvizja e lirë e punonjësve, prokurimi publik, ligji për të drejtën e pronësisë intelektuale, transporti ajror, shoqëria e informacionit dhe mediat si dhe energjia dhe mjedisi. Në përgjithësi, kapacitetet administrative për vënien në zbatim të legjislacionit duhet të përforcohen.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›