Ronaldinjo te Atletiko Mineiro

Ish-ylli i Barcelonës dhe Milanit, Ronaldinjo ka firmosur kontratë afatshkurtër me klubin e kampionatit elitar në Brazil, Atletiko Mineiro. Zyrtarizimi i akordit ka ardhur vetëm 4 ditë pasi fantazisti konfirmoi largimin nga Flamengo.
Ish-fituesi i Kupës së Botës dhe “Lojtari më i Mirë” në botë gjatë viteve 2004 dhe 2005 prishi kontratën me Flamengon, pasi klubi i detyrohet rreth 19.6 milionë dollarë, me rroga dhe shpërblime të papaguara.
Atletiko Mineiro siguroi marrëveshjen me 32-vjeçarin deri në fund të sezonit, ndërsa Ronaldinjo pritet të debutojë që prej së mërkurës, në ndeshjen e kampionatit kundër Bahias. Mesfushori u prezantua në fillim të javës dhe ai zhvilloi një konferencë të shkurtër për shtyp, ku pozoi edhe me fanellën e skuadrës së re.
“Mendoj vetëm të jap më të mirën dhe jam shumë i motivuar për këtë aventurë të re. Jam pozitiv dhe kam ardhur këtu që të fitoj trofe”, tha lojtari. Atletiko, që është një prej dy klubeve më të mëdhenj në Belo Horizonte sëbashku me Kruzeiron, e mbylli kampionatin në vendin e 15-të gjatë sezonit të kaluar dhe e ka fituar vetëm një herë titullin në vitin 1971.
Kontrata e Ronaldinjos, e cila zgjat vetëm 6 muaj, erdhi si një surprizë. Në mënyrë që ish-ylli i “seleçaos” të prezantohej përpara mediave dhe ti bashkohej skuadrës në stërvitje, presidenti i klubit, Aleksandre Kalil e mori fantazistin me aeroplanin e tij privat nga Rio de Zhaneiro.